LB-ja: Mungesa e frikshme e transparencës në dialog

19 tetor 2022 | 11:32

Lëvizja për Bashkim përmes një komunikatë për medie ka theksuar se kohëve të fundit janë intensifikuar vizitat e emisarëve të BE-së e të ShBA-së të ngarkuar me ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Përveç kësaj, sipas LB-së, tanimë është e njohur publikisht edhe ekzistenca e një plani franko-gjerman për t’iu dhënë fund bisedimeve Kosovë-Serbi, me synimin që të përmbyllej me një marrëveshje përfundimtare në mes të këtyre dy vendeve.

“Madje, u tha edhe publikisht se ka një marrëveshje në mes të palëve që ky plan të mos bëhet publik. Edhe pse Qeveria e Kosovës fillimisht e mohoi ekzistencën e këtij plani, tani e thotë hapur se ai plan ekziston, por nuk e ka thënë as edhe një fjalë të vetme për përmbajtjen e tij. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti sa ishin në opozitë i kanë kritikuar zëshëm rivalët e tyre pikërisht për mungesë të transparencës në dialog, por tani e injorojnë plotësisht opinionin publik, madje edhe duke pohuar “pa frikë” se plani ekziston, por se nuk do ta bëjnë publik. Ky injorim, këto bisedime të fshehta, kjo mungesë e ‘frikës’ nga opinioni publik, – të gjitha këto e bëjnë të frikshme mungesën e transparencës në dialog”, thuhet në komunikatën e LB-së.

LB-ja konsideron se kryeministri Kurti duhet ta njoftojë opinionin publik për kornizën e ofruar të marrëveshjes.

“Ai dhe qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë moment që, duke e vendosur në qendër parimin e reciprocitetit, të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme edhe për Kosovën Lindore, dhe për veriun e Kosovës. Përndryshe, me këtë qasje të qeverisë, – ku një herë e trajtonte dialogun si prioritet të shtatë a të tetë, e tani e ka prioritet të parë, por duke e mbajtur në fshehtësi procesin, – mund të jemi dëshmitarë të marrëveshjeve të cilat nuk i zgjidhin problemet themelore në mes të dy vendeve, duke i shtyrë ato dhe, si pasojë, duke vazhduar ta mbajnë Kosovën në një gjendje të pafavorshme status quo-je”, është theksuar në komunikatën e LB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Barcelonës është e interesuar të transferojë edhe një…