Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori Portugalisë

19 tetor 2022 | 15:06

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të mërkurën letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Portugalisë, në Kosovë, Jorge Ayres Roza De Oliveira.

Pasi që i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri portugez, presidentja Osmani ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë shumë të mira dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës e Portugalisë do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit De Oliveira.

Me ambasadorin De Oliveira, presidentja Osmani ka diskutuar edhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Presidentja Osmani ka falënderuar Portugalinë për mbështetjen e tyre të parezervë në këto dy procese si dhe ka përsëritur qëndrimin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se duhet të merret për bazë rekomandimi i Komisionit Evropian për t`i hequr vizat.

Sipas presidentes Osmani, është e domosdoshme vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke dhe se hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Kurse sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani ka potencuar se anëtarësimi në këtë organizatë është në funksion të fuqizimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Presidentja Osmani dhe ambasadori De Oliveira kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve në fusha specifike, sikurse ajo e politikës së jashtme, mbrojtjes, arsimit, turizmit dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 300 fluturime të kompanisë “Eurowings” janë anuluar të mërkurën,…