Dashuria e solli këtë libër
Shkruan: Mezahir Haxhijaha
Shkrimtari, poeti e mendimtari Ymret Reshiti na sjell një përmbledhje poezish me titull Letrat që nuk t’i dërgova. Libri është i ndarë në shtatë pjesë: Në emrin tënd, Ma kthe pranverën, Buzëqeshje në fotografi, Jetoj për një takim, Një simfoni për ty, Kjo kohë mërzie, Letra e papërfunduar.
Me anë të krijimeve domethënëse gjërat rrjedhin herë si në ëndërr, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë botës në të cilën jetojmë.
Sapo fillojmë ta lexojmë librin vërejmë se bëhet fjalë për një libër të këndshëm, tërheqës për ta vazhduar leximin. Stili tërheqës bën që lexuesi të jetë i përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve dhe situatave jo vetëm duke ia shtuar kureshtjen për të zbuluar atë çfarë ndodh, por edhe për t’i nxitur impenjimin për të lexuar mes rreshtave. Në këtë libër ka shumë sinqeritet dhe dashuri bashkë, ajo pjesë e pathënë; dashuria si ndjenjë, që lind e lartësohet, forcohet e shuhet bashkë me njeriun, dashuri e vërtetë, dashuri e pasionit, por edhe dashuri që përngjan me koronën: dashuri që kaplon, që zhduk e që mund të vrasë.
Që në çastin kur u njohëm
U bëra pranvera e shpirtit tënd
Lotin ta shndërrova në ves
për lule e trëndafilat e zemrës
Që sa herë nuk bie shi
pikëllimin tënd në ngjyra ylberi ta kthej.
Porsa lexuesi ta marrë në dorë këtë libër, vetë titulli ia bën të qartë përmbajtjen, një përmbajtje të dhimbshme, por edhe krenare.
Kurrë nuk jam frikësuar
të dashuroj pa kufij ty
Vetëm një i çmendur si unë
e jep lirinë për ta fituar një zemër
Ky jam unë për ty
Të tjerë si unë nuk ka.
Në këtë libër janë shkrirë në një të vetme dashuria dhe letërsia, si testament që i lihet trashëgim jetës që kur lind.
Si ta them tash lamtumirën
Pa i bërë sytë të qajnë
Si ta kthej shpinën
zemra pa më vdekë.
Ky libër bëhet një meditim mbi rolin e dashurisë dhe në vetvete është një gur i çmuar në thesarin e letërsisë shqipe, që i dedikohet dashurisë, e cila frymon e lartësohet deri në pafundësi, sepse njerëzit dashurojnë pa dallim, shpesh deri në marrëzi dhe flijim.
Pa ty asnjë lule nuk dëshiron të çelë
Krahët e fluturave kanë mbetur pa u ngjyrosur
me petalet e luleve shumëngjyrëshe
Zogjtë shtegtarë nuk dëshirojnë të na vizitojnë
Eja pra ti e kthema pranverën.
Duke qenë një burrë tradicional, me tipare dhe me një shpirt të pastër, s’mund të pranonte kurrë rolin e të “dytit” ndaj marrëdhënia e tij u zbeh, por që letrat e tij zgjatën ndër vite edhe pse kjo dashuri u vyshk, ajo u kthye në një mirëkuptim mes miqsh të ngushtë.
Vitet po më pakësohen
E dashuria për ty
veç më shumë po rritet
Ti për mua gjithnjë ke mbetur
e bukur
Tash e dyzet vjet
duke më buzëqeshur
në këtë fotografi
Të vetmen shenjë të mbijetuar
nga dashuria e fundosur.
Duke e lexuar këtë libër ata në moshë do ta kujtojnë kohën e tyre në dashuri, ndërsa të rinjtë, mbase, do të “turpërohen”, ngaqë me qëndrimin e tyre me telefona në dorë, po e zhveshin shpirtin nga magjia e dashurisë.
Më thirr
Patjetër se do të vij
edhe nëse ti nuk më pret
Nostalgjinë dua ta zgjoj
duke shkelur prapë atë rrugë
Edhe nëse ti nuk më pret
Më mjafton që edhe një herë
të vdes për ty në atë rrugë.
Kjo dashuri e madhe e autorit Ymret Reshiti është për t’u admiruar, dashuri që solli një libër, i cili është një udhërrëfyes kulturor, një projekt i mirëfilltë për botën magjike të librit.