Turqia bën thirrje për heqje të sanksioneve ndaj Iranit dhe Venezuelës

21 tetor 2022 | 12:10

Turqia ka thënë të premten se heqja e sanksioneve të Perëndimit ndaj shteteve si Irani dhe Venezuela, do të lehtësonte krizën globale të energjisë, të nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar sektorin e naftës në Venezuelë prej vitit 2019, derisa Iranin pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Irani është shteti i dytë në botë për rezerva të gazit natyror – pas Rusisë – mirëpo i mungon infrastruktura për rritje të eksporteve.

Aktualisht Irani realizon eksporte të kufizuara në Irak dhe Turqi.

“Gjithë botës i duhet nafta dhe gazi natyror i Venezuelës. Në anën tjetër, ekzistojnë embargo në naftën iraniane”.

“Hiqni këto sanksione… nëse dëshironi që të bien çmimet, hiqni embargot nga shtetet që do të ofrojnë produktet e tyre në treg . Ju nuk mund të zgjidhni problemin duke e kërcënuar një shtet”, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Vendimi i Moskës për të ndaluar furnizimet me gaz në Evropë – pas sanksioneve që ia ka vënë Perëndimi për luftën e nisur në Ukrainë – ka shkaktuar krizë në kontinent, raporton “Rel”.

Përveç bizneseve, dhe ekonomitë familjare janë paralajmëruar për një dimër të vështirë.

Turqia – vend anëtar i NATO-s – mban marrëdhënie të mira, edhe me Rusinë, edhe me Ukrainën.

Por, ajo nuk i është bashkuar Perëndimit në vënien e sanksioneve ndaj Moskës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderja italiane e të djathtës ekstreme, Giorgia Meloni, dhe aleatët…