Osmani: 90 për qind e serbëve të Kosovës i konvertuan targat e automjeteve në RKS, ka pasur afat mjaft

23 tetor 2022 | 14:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka pasur mjaftueshëm afat që serbë t’i konvertojnë targat e veturave të tyre në RKS.

Këtë deklaratë shefja e shtetit e ka dhënë kur i është kërkuar përgjigje lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ky afat të mos përfundojë në fund të këtij muaji, siç është paraparë, por të shtyhet edhe për 10 muaj.

“Çështja e targave mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, sepse mbi 90 për qind e serbëve që jetojnë në Kosovë tashmë i kanë konvertuar targat e së kaluarës në targa të ligjshme”.

“Pra, e kanë respektuar ligjin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në sundim të ligjit dhe në trajtim të të gjithëve në mënyrë të barabartë para ligjit”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se konvertimi i targave është në përputhje me legjislacionin vendor dhe praktikat ndërkombëtare.

“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i kanë konvertuar ende targat dhe i përdorin targat e kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është që të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka marrë shembull Poloninë, sikur aty 20 vjet pas luftës të qarkullonin ende automjete me targa të kohës së Hitlerit.

Të kesh automjet me targa të kohës së Millosheviqit si qytetar i Kosovës, Osmani ka thënë se është “jo vetëm e paligjshme”, por “edhe e pamoralshme”.

Emisari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të mërkurën ka vizituar Kosovën, ku ka bërë me dije se i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta shtyjë edhe për 10 muaj afatin për konvertimin e targave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rishi Sunak ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryeministër të Britanisë…