Osmani takon liderët e Luginës, kërkon nga shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë

24 tetor 2022 | 15:53

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Temë qendrore e këtij takimi ishte procesi i regjistrimit të popullsisë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji.

Sipas Osmanit, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative.

Presidentja ka nënvizuar se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve. Se këndejmi, Presidentja ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive tona diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera.

Për këtë frymë, presidentja Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.

Më tutje, Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.

Në këtë kontekst, ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shpallur…