Strategjia e Sigurisë së Kosovës përbën alarmin me ngjyrë të kuqe

24 tetor 2022 | 20:10

Fjala e plotë e deputetit Hisen Berisha gjatë diskutimeve në Kuvend për Strategjinë e Sigurisë së Kosovës

Të nderuar deputet, kërkoj falje qe në cilësinë e ish hartuesit të këtyre dokumenteve për vite me radhë, më duhet ta vlerësojë shumë ulët si dokument të karakterit politik, draftin e letrave të shpërndara nga qeveria dhe të emërtuara si Strategjia e Sigurisë së Kosovës.

(Emërtim ky që tregon jo seriozitetin në trajtimin dhe njohjen e shtetit të Kosovës nga vet qeveria. E çka duhet të presim nga Serbia apo 5 vendet e BE dhe NATO që ende s’na kanë njohur, të mos flasim për vendet e ndryshme që duhet pritur të na njohin, kur ende se trajtojmë vet vetën si shtet).

Përveç mangësive në vlerësimin korrekt të ambientit të sigurisë dhe pozicionit gjeostrategjik dhe gjeopolitik në të cilin zhvillohet shteti i Kosovës në kontekst; përshkrimit me terma, definicione e përkufizime universale që i mjegullojnë  informatat, edhe ashtu koluzive e të bartura nga dokumente tjera të rëndësishme po ashtu në fushën e mbrojtjes e sigurisë por dhe nga vende të predispozuara armiqësisht ndaj Kosovës; mos përcaktimit korrekt të objektivave nacionale apo shtetërore në një situatë kur ënde se kemi mbyllur procesin e shtetësisë që po kontestohet në proces; identifikimit të burimeve reale dhe faktike të rreziqeve dhe dukurive e fenomeneve me impakt e probabilitet të lartë, që e cenojnë realisht sigurinë nacionale, që e përballin qytetarin kosovar çdo ditë me sfida të sigurisë në kontekst të të ndjerit i sigurtë dhe i mbrojtur ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të identidikuara; identifikimit dhe prezantimit të fuqive nacionale të shtetit tonë për t’u përballur dhe asanuar këto rreziqe e kërcënime, janë rreziqet e karakterit politik që e nxjerrin ketë dokument jashtë kontekstit strategjik të sigurisë nacionale/shtetërore.

Nuk lejon një dokument i nivelit më të lartë për sigurinë nacionale e shtetërore, të përmbajë nota patetizmi patriotik, në identifikimin e kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj kritereve si përmanenca, impakti dhe probabiliteti të ndodhë.

Do mundohem shkurt përmes dy tre gjetjeve, jo të karakterit teknik siç rëndom po bëhet nga ne si deputet, ngase nuk jemi të thirrur, por të politikave të sigurisë nacionale që përfaqësojmë, të jap disa nga arsyet e këtij qëndrimi:

  1. Nëse i referohemi dokumenti të ShBA, i cili e shpallte si rrezik shtetërore invadimit ushtarak rus në Ukrainë, dokumenti që e keni sjellë ju në formatin e Strategjisë për Siguri Nacionale, këtë rrezik potencial për njerëzimin e injoron.

Ky dokument me ketë mangësi, në përshtypjen e parë duket më afër me filozofinë politike të sigurisë që përfaqësojnë gjeneralshtabi i Vuçiqit, i cili është lideri i vetëm shtetërorë që invazionin ushtarak rus në Ukrainë nuk e sanksionoi, as nuk e sheh si rrezik për shtetin serb.

Kjo nuk më ka befasuar, meqë në tavolinat e grupeve të punës janë vërejtur të krahasohen si model dhe t’i referohen uroj jo si përmbajtje edhe dokumentit të Strategjisë së Sigurisë Nacionale të Serbisë.

 

  1. Koncept dokumenti juaj është jokushtetues, ngase parasheh si element rreziku aktivitetin opozitarë, përmes të cilit shtetasit e Republikës se Kosovës do të ndryshonin paanshmërinë në raport me qeverinë aktuale.

Pra thënë prerë, ju përmes këtij dokumenti pretendoni ta ndërroni karakterin kushtetues të Republikës se Kosovës si demokraci parlamentare, në një diktature proletaresh dhe këtë e shprehni kur thoni se, citoj:  “Gara e madhe për pushtet, paraqet kërcënim të lartë” dhe atë jo vetëm vendor.

Edhe po ti referohemi metodës dhe rrugës përmes të cilës ju si organizatë keni ardhur deri te pushteti, ky formulim s’do të duhej të qëndronte siç është shkruar këtu.

Për organizata politike që vijnë në pushtet përmes “Garës së madhe për pushtet” siç e përkufizoni këtu, apo me metodat që keni përdorur ju, e vazhdoni ti impelementoni në raport me vlerat nacionale dhe shtetërore, do të duhej vendim gjyqësor për ndalimin e veprimtarisë politike të forcave të tilla politike, me motivacion të njëjtë si Hajderit në Austri, Juntat ushtarake, kmerët e kuq, apo dhe diktatura të njohura të komunizmit, por kurrsesi një formulim i tillë i një rreziku potencial, i cili me impakt e probabilitet të lartë mund të ndodhë vazhdimisht, i shkaktuar nga politikbërja, ndaj si i tillë s’mund të qëndroj në Strategjinë e Sigurisë Nacionale të një shteti, që si formë regjimi politik ka demokracinë parlamentare.

Ju keni harruar se bash me këtë “garën e madhe për pushtet” (me mollotov/napalm kundër policisë, zolla kundër ndërtesës së kuvendit të Republikës se Kosovës dhe gazit lotsjellës në sallën e kuvendit të Republikës së Kosovës, madje edhe kontrabandimin e votës se deputetëve, si edhe duke i kombinuar krejt këto elemente të “garës së madhe për pushtet” me thirrjen e hapur nga tribuna e kuvendit të Republikës së Kosovës, për ambasadoret e QUINTit, citoj: “veproni kundër kriminelëve prapa meje”, (edhe pse ata mbeten heronjtë e gjallë që në Hagë po mbrojnë misionin e luftës sonë), kauzë për mes të cilës ju keni ardhur në qeverisje dhe tani pasi e ke zënë atë karrige Kryeministër, dashkeni ta mbroni me “organet shtetërore të sigurisë”!?

E si do ta realizoni ketë? Duke i ndaluar zgjedhjet e lira e demokratike edhe fushatën elektorale si e drejtë ligjore e kushtetuese e kandidatëve dhe partive politike në garë?

  1. Ky draft dokument ka edhe karakter mashtrues, në raport me votuesit tuaj, të cilëve në dy fushata zgjedhore iu premtove “shërbimin e obliguar ushtarak” por në fund të letrave tuaja si SSK, ju parashihni se ”Kosova është e përkushtuar që nëpërmjet Strategjisë së Mbrojtjes dhe Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të mbështesni zhvillimin e një Force, të tipit të këmbësorisë, si forcë profesionale, përfaqësuese dhe të lehtë me 5000 trupa me kohë të plotë dhe 3000 trupa rezervë”!

Ndërkohë në këtë kuvend veç e kemi kaluar në parim, amendamentimin e Ligjit për Forcën që e heq këtë kufizim, që e determinon ndryshimi i ambientit të sigurisë dhe avancimi teknologjik. Po ashtu, kjo është ndesh edhe me parimet e RSSS që parashikon përsëritjen në afat minimal së paku pesë vite, si dhe ndryshimet permanente në ambientin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

 

  1. Në këtë dokument është dashur të identifikohet si rrezik më probabilitet dhe impakt të lartë por edhe efekt permanent, gënjeshtra dhe mashtrimi në politikë.

– Gënjeshtrën dhe mashtrimin e qytetarëve;

– Propagandën denigruese ndaj vlerave nacionale;

– Degradimi moral dhe edukativ i rinisë nga shoqëria, shkolla, mediat vizive, dhe

rritja e dukurive të shëmtuara;

– Nxitjen e urrejtjes ndër njerëzore;

– Stimulimin e ikjes nga vendi nga pasiguria në mungesë të perspektives;

Këto do të duhej të identifikoheshin si rreziqe, krahas atyre që vijnë nga:

– Falimentimi politik dhe ekonomik i shtetit;

– Mos zhvillimi dhe shkatërrimi i arsimit;

– Mos zhvillimi dhe shkatërrimi shëndetësisë me ketë shëndetit publik;

– Mos zhvillimi dhe shkatërrimi sektorit primar të zhvillimit bujqësisë;

– Degradimit të ambientit – florës, faunës dhe sistemit të ujërave;

– Ndotja e ajrit;

– Mos përfundimi dhe degradimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe ajrore;

– Mos stabilizimi i sistemit energjetik në prodhim, si aset strategjik i zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik (që siç ka paralajmëruar Ministrja përkatëse, po futemi në krizë nga keqqeverisja e keq menaxhimi dhe termocentrali po shkon në avari), kurse në ketë strategji nuk mendoni fare për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese por për përmirësimin e rrugëve për furnizim nga jashtë;

– Mos stimulimi i zhvillimit të sistemit të mbrojtjes dhe me këtë edhe vet sigurisë nacionale; Kthimi i shërbimit në FORCË e POLICI në profesion të palakueshëm dhe të padinjitetshëm për shkak të kushteve të shërbimit;

Mos zhvillimi i sistemit të alarmimit e mobilizimit për siguri të qytetarëve në raste fatkeqësish natyrore apo humane.

Në asnjë rresht, nuk është synim partneriteti faktik me partnerin tonë strategjik SHBA, dhe fakti se edhe kapacitetet që po zhvillohen janë arritur nënë asistencen tekniko profesione të SHBA ekskluzivisht, pa përjashtuar NATO-n dhe asistencën përmes e NALT. Kemi “Full SOFA agrement” me SHBA përkatësisht IOËA. Kjo nuk guxon të shmangët në strategjinë tonë nacionale apo shtetërorë. Bilës po ti referohemi zhvillimeve të fundit ndërkombëtarë e që ndërlidhen edhe me Ne, Kosovën dhe perspektiven tonë të sigurisë dhe ekzistimit si shtet, do të duhej të kishim “objektiv strategjik” edhe “Traktatin për Mbrojtje Ushtarake me SHBA” , analog me atë që kanë SHBA me Korenë Jugore.

Rreziqet e karakterit politik, mos përmbyllja e procesit politik, reformatimi i dialogut, vonesat në implementimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në frymën e Kushtetutës dhe me garantimin e SHBA dhe reformatimi antikushtetues i marrëveshjeve në dëm të vendit, siç është rasti me Asociacionin, zbatimin e vendimeve të gjykatave, etj. Tejzgjatja e status quo-së dhe degradimi  procesit në dëm të Kosovës, kanë vu pikëpyetje të madhe në perspektiven e qetë dhe të sigurt të vendit tonë.

Të nderuar deputet, për një profesionist të nivelit të lartë, ky koncept dokument i emëruar nga qeveria Kurti 2, si Strategjia e Sigurisë së Kosovës, përbën alarmin me ngjyrë të kuqe.

Ndaj, kundër kësaj qeverie dhe dokumentit që po na ofron, (e që më se paku është real në identifikimin e rreziqeve reale me impakt, probabilitet e permanencë ndaj sigurisë – si ndjesi e të ndjerit të mbrojtur e të sigurt ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të supozuara), duhet të reagojmë me të gjitha mjetet e demokracisë për ta ndalur kalimin e Republikës së Kosovës nga shtet demokratik i përcaktuar me Kushtetutë, në një diktaturë të proletariatit neokomunist, ku Zot s’ka por ku Diktatori është tërësia e pacenueshme, të cilin do të autorizohen institucionet shtetërore të sigurisë së vendit ta ruajnë siç shpreheni aty “përmes masave dhe veprimeve institucionale”?!

Kjo është ves i diktatorëve paranojak, ku armikun e sheh brenda vetes dhe popullit.

Detyra kushtetuese e opozitës në vendet me demokraci parlamentare, është ta ndaloj diktaturën dhe diktatin përmes votës!

Ju deputet të nderuar edhe nga radhët e grupit shumicë parlamentare, disa nga ju keni ndryshuar votën nga diktati disa herë, andaj ju ftoj që në emër të ruajtjes së demokracisë, si shpirti prezantues i shqiptarëve të Kosovës, ta rrëzojmë strategjinë për instalimin e diktaturës model i binomit Putin-Vuçiq dhe ta refuzojmë këtë ndikim në territorin e Republikës së Kosovës, si rreziku kryesor i ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës!

Vetë ky draft dokument që na është servuar si SNS, përbën rrezik për sigurinë nacionale dhe demokracinë.

Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim të dërguarin e…