Dekani i Juridikut që u akuzua për plagjiat: Enver Hasani po shpifë, do t’i ndjek rrugët ligjore kundër tij

26 tetor 2022 | 12:04

Akuzave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani se doktorata e dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka është mbi 50 për qind plagjiaturë, i është përgjigjur vetë dekani.

Puka ka thënë se deklarimet e Hasanit janë shpifje, duke paralajmëruar se për këto akuza do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.

“Andaj, shumë shpejt këto akuza denigruese dhe të pabaza do të dëshmohen si të pavërteta dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për vendosje dhe rivendosje të drejtësisë”, ka shkruar Puka në “Facebook”.

Postimi i plotë i Pukës:

Dje jam njoftuar se Enver Hasani, profesor pranë Fakultetit Juridik të UP-së, përveç tjerash, ka bërë akuza për plagjiaturë edhe ndaj meje, sikurse edhe ndaj një profesoreshe, kolege të respektuar të fakultetit. Si profesor, dhe në cilësi personale, i demantoj ashpër këto akuza dhe e siguroj opinionin e gjerë publik, që deklarimet e tilla janë shpifje, hapje thashethemesh dhe fyerje.

Çdo pretendim do të mund dhe do të duhej të adresohej në rrugën institucionale nëpërmjet mekanizmave të paraparë, por pa i cenuar vlerat dhe imazhin e Universitetit, Fakultetit Juridik dhe pa i denigruar dhe fyer kolegët pa asnjë argument të vetëm. Për akuzat ndaj integritetit tim akademik dhe shkencor, nuk kam asnjë problem, sepse doktoratura ime është produkt i punës time dhe përkushtimit disa vjeçar (e verifikuar nga komisione, mekanizma e profesorë me kredenciale akademike). Por megjithatë, për shkak të akuzave publike, këtë çështje do ta adresoj tek autoritetet kompetente, për të provuar një gjë të tillë.

Andaj, shumë shpejt këto akuza denigruese dhe të pabaza do të dëshmohen si të pavërteta dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për vendosje dhe rivendosje të drejtësisë.

z. Hasani duhet ta dijë se si funksionon një institucion dhe cila është mënyra e adresimit të çfarëdo pretendimi. Por ai ka zgjedhur median, të pavërtetën dhe një paraqitje shumë kaotike për të bërë akuza të pabaza dhe për të shprehur urrejtjen e tij personale. Ai asnjë herë nuk ka ngritur pretendim të tillë në mënyrë institucionale, nuk ka ndjekur asnjë procedurë dhe nuk ka asnjë bazë. Pra, i ka dhënë të drejtën vetës që ta bëjë gjyqin publik.

z. Hasani, për ketë çështje as që ka diskutuar njëherë të vetme ne Fakultet, Këshill të Fakultetit (ku me muaj të tërë ai as nuk merr pjesë). Por për deklarime të tilla, shfrytëzon dhe abuzon hapësirën publike mediale, për të bërë akuza të ulëta dhe të pabaza, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj një kolegeje të respektuar, sikurse ka vepruar edhe me shumë kolegë të tjerë për vite të tëra.

Në cilësi të Dekanit të Fakultetit Juridik, do të vazhdoj të ruaj integritetin e fakultetit dhe të kolegëve, dhe asnjë formë shantazhi nuk do të na zmbrapsë nga reformat dhe luftimi i dukurive negative në fakultet.

Unë jam plotësisht i gatshëm dhe i hapur që të zbardhim çdo pretendim, por në të njëjtën kohë zotohem se nuk do ta tolerojmë instalimin e fyerjeve te pabaza dhe të shantazhit si mënyrë të funksionimit në fakultet juridik. Për këtë qëllim do të përdorim çdo mjet të lejueshëm ligjor dhe institucional.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa të rijnë në Suharekë janë mbledhur në një vend…