Pandemia nuk ka mbaruar, IKShPK-ja njofton për dy variante të reja të koronavirusit

26 tetor 2022 | 12:22

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se Kosova po vazhdon të shënojë numër të vogël të rasteve të reja të Covid-19.

Sipas këtij instituti, në vende të ndryshme të botës janë duke u regjistruar raste të shumta të Covid-19, sepse pandemia ende nuk ka mbaruar.

“Sipas vlerësimit të fundit në ShBA, del se BQ.1 dhe BQ.1.1 janë të lidhur ngushtë dhe përbëjnë 16.6 për qind të varianteve të koronavirusit në vend, vlerë kjo e cila gati është dyfishuar nga java e kaluar, përderisa Evropa pret që ato të bëhen variantet dominuese brenda muajit të ardhshëm. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka njoftuar se këto variante mund të rrisin numrin e rasteve në javët dhe muajt e ardhshëm në rajonin evropian. Të dy variantet janë pasardhës të nënvariantit BA.5 të Omicron, i cili është forma dominuese e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Rregullatorët në Evropë dhe ShBA kanë rekomanduar kohët e fundit dozat përforcuese të vaksinave”, ka njoftuar IKShPK-ja.

Tutje në njoftim theksohet se sipas zyrtarëve evropianë nuk ka ende prova që BQ.1 është i lidhur me ashpërsi të shtuar të sëmundjes krahasuar me variantet qarkulluese të Omicron BA.4 dhe BA.5, por paralajmëruan se mund të shmangë mbrojtjeje imunatare, duke përmendur studimet laboratorike në Azi.

“Sipas virologëve dhe studiuesve të vaksinave ‘këto variante (BQ.1 dhe BQ.1.1) mund të çojnë në rritje të numrit të rasteve këtë dimër në ShBA, dhe kjo rritje po vërehet në Evropë dhe Mbretërinë e bashkuar’. Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë javë tha se BQ.1.1 po qarkullon në të paktën 29 vende. CDC e ShBA-së ka konfirmuar se BQ.1 dhe BQ.1.1 javën e kaluar u vlerësua se përbën 9.4 për qind të varianteve qarkulluese”, thuhet në njoftim.

IKShPK-ja ka njoftuar se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

“Andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen. MSh dhe IKShPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër Covid-19”, është theksuar në njoftimin e IKShPK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare, Ava Max, dha një…