Kriza ekonomike: Mbi 9% më pak ndërmarrje të regjistruara, krahasuar me vitin 2021

29 tetor 2022 | 16:54

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e saj “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2022”, tregon se në TM3 2022 gjithsej janë regjistruar 2 mijë e 722 ndërmarrje.

Sipas të dhënave të këtij raporti, krahasuar me TM2 të këtij vitit ka rënie prej 4% të ndërmarrjeve të regjistruara, ndërkohë që vërehet një rënie prej 9.8 për qind me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3, 2021).

Sipas këtij raporti, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë kësaj kohe ishin kryesisht: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 543 ndërmarrje të regjistruara (19.9%); Prodhimi me 345 ndërmarrje të regjistruara (12.7%); Ndërtimtaria me 306 ndërmarrje të regjistruara (11.2%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 281 ndërmarrje të regjistruara (10.3%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 276 ndërmarrje të regjistruara (10.1%).

“Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se: me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 650 ndërmarrje të regjistruara (97.4%); me 5 deri 9 të punësuar janë 60 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar 10 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 2 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor”, thuhet në raport.

Në anën tjetër sa i përket shtrirjes gjeografike, ndërmarrjet e regjistruar prijnë kryesisht në Prishtinë, më pas në Prizren Ferizaj, Gjilan dhe komuna të tjera.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 824 ndërmarrje të regjistruara (30.3%); Prizreni me 223 ndërmarrje të regjistruara (8.2%); Ferizaj me 217 ndërmarrje të regjistruara (8.0%); Gjilani me 148 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); Peja me 130 ndërmarrje të regjistruara (4.8%); dhe Gjakova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.6%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor”, thuhet në raport.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka ngrirë asetet ruse me vlerë rreth 17…