MPB-ja: Pas 21 nëntorit, gjobë 150 euro për targat serbe

31 tetor 2022 | 13:49

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ftuar sërish qytetarët serbë që t’i regjistrojnë automjetet me targa “RKS”.

MPB-ja ka bërë me dije se pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Kjo ministri ka njoftuar nga 21 nëntori 2022  deri më 21 janar 2023, për automjetet që nuk kanë targa “RKS” do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Njoftimi i plotë i MPB-së:

Të nderuar qytetarë,

Në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 28.10.2022 ka marrë vendimin Nr. 05/103 me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023.

Të nderuar qytetarë, ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë.

Me vendimin e ri, nga data 1 Nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.

Nga data 21 nëntor deri me datë 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.

Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rrahje mes dy asamblistëve të VV-së në Podujevë ka…