Abazi: Procesi i Berlinit, më i rëndësishmi këtë vit

04 nëntor 2022 | 12:40

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, e ka cilësuar procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e arritura në kuadër të tij si më të rëndësishmet për Kosovën gjatë këtij viti.

Ai ka theksuar se Kosova duhet të veprojë mençur, sepse ky proces e orienton Kosovën drejt BE-së.

“Procesi i Berlinit dhe marrëveshjet shënojnë momentin më të rëndësishëm të vitit 2022. Është një orientim drejt vlerave euroatlantike në BE”, ka thënë Abazi në një konferencë për medie të premten, duke shtuar se kjo agjendë euroatlantike është e vetmja që fitojnë qytetarët.

“Procesi i Berlinit i ka treguar Ballkanit se ka të bëjë me gjashtë shtete të barabarta dhe se nuk ka kushtëzime. Për këtë duhet t’i falënderohemi shtetit gjerman. Shpresoj që ratifikimi të bëhet në vendet e Ballkanit dhe të zbatohen në mënyrë konkrete edhe pse mund të ketë vonesa”, ka thënë Abazi.

Liderët e Kosovës, të Shqipërisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë kanë nënshkruar tri marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt një ditë më parë.

Marrëveshjet e nënshkruara pas gati dy vjet negociatash, duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi, ka njoftuar Qeveria e Kosovës. Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve mundëson lëvizjen e lirë, pa viza, mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-futbollisti i famshëm brazilian, Ronaldo, ka treguar pse nuk donte…