Krasniqi pas takimit me Kurtin: Nuk jam i sigurt nëse qeveria e di se në çfarë drejtimi po shkon

08 nëntor 2022 | 10:28

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e tjerë opozitarë.

Krasniqi ka thënë se dje i ka dërguar një letër kryeministri për të shprehur shqetësimin në lidhje me situatën veriore në vend.

“Kemi hyrë në një fazë që s’ka epilog të qartë ndërsa potencialin për përshkallëzim e ka të madh. Më vjen mirë që ka reflektuar dhe ka thirrur këtë takim të sotëm ku patëm diskutim rreth asaj se si është situata, si ka ardhur deri këtu por isha më i interesuar të dëgjojë për planet e ardhshme për të menaxhuar këtë situatë. S’mund të them se dola me siguri të madhe se qeverie e di se në çfarë drejtime është duke shkuar apo çfarë veprime duhet të ndërmarrë, sepse në fund të fundit qëllimi i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe mbajtja e paqes, por me këtë rast e shpreha qëndrimin e PDK-së, se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme. Veprime që ruajnë sovranitetin në çdo centimetër të Kosovës dhe sa i përket vazhdimësisë së ushtrimit të sovraniteti në katër komunat veriore, por edhe të rendit publik dhe ofrimit të shërbimeve bazike, qeveria duhet të ndërmarrë veprimet që i takojnë dhe për këtë do ta ketë përkrahjen e PDK-së, qoftë përmes veprimeve tona në Kuvend apo në çfarëdo mundësie tjetër që kemi”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se përkrahja është për veprimet të cilat e ruajnë krejt rezultatin e sukseset e arritura në të gjitha vitet e pas pavarësisë që kanë rezultuar me integrimin e komunitetit serb në të gjitha institucionet e Kosovës si dhenë ushtrimin e sovranitetin juridik e politik në Kosovë.

“Unë s’mund të them se çka sot duhet të bëjë qeveria për të sjellë normalitetin. Sot kemi një situatë të re që ka mundur të shmanget, por papjekuria dhe mungesa e koordinim të duhur me aleatët kryesorë të Kosovës duket se kanë sjellë një momentum që ka mundur të shmanget, sido qoftë ne jemi këtu ku jemi dhe është përgjegjësi e Qeverisë, por është obligim i të gjithëve që Kosovën ta vendosim si prioritet para çdo konsiderate tjetër politike apo partiake. Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë jo vetëm për këtë situatë, por edhe për procesin e dialogut e normalisht dhe për propozimin franko-gjerman, por unë e kam thënë edhe shumë herë të tjerë. Në vend se të fokusohemi në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale që do të sillte njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB ne sot po merremi me tema më sporadike dhe teknike”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se del nga ky takim jo shumë i sigurt që kryeministri dhe qeveria e dinë se në çfarë rruge kanë hyrë dhe si do të duhej të dalin nga kjo rrugë duke e ruajtur tërësinë  e Kosovës dhe funksionimin e shtetit ashtu siç e kemi pasur.

“Ne erdhëm më shumë për të dëgjuar kryeministrin , diskutuam gjerë e gjatë, por s’jam i sigurt që vërtetë e dinë në çfarë rruge kanë hyrë”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Siç mëson portali “Plava e Gucia Sot” Enver Dedushaj ka…