Konjufca sërish pajtohet me opozitën, ka një vërejtje për ministrat
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përsëri është pajtuar me deputetët e opozitës.
Kësaj radhe në lidhje me pjesëmarrjen e vogël të ministrave të qeverisë Kurti II në seancat e Kuvendit. Këtë ankesë e pati shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Kërkohet që ministrat e linjës, kur kem pyetje parlamentare me qenë prezent”, ka thënë deputeti Besnik Tahiri në ankesën e tij.
E me këtë është pajtuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, partia që e udhëheq Qeverinë e Kosovës.
“I bashkohem vërejtjes suaj zoti Tahiri. Prania e ministrave duhet të jetë më e lartë në pyetjet, sepse nëse bëhet një statistikë këtu nga përvoja mund të konkludojë që pjesëmarrja nuk është gjithaq e kënaqshme. Duhet të jetë më e lartë”, ka thënë Konjufca.