![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/11/osmani.png)
Osmani fton në takim partitë politike, pritet të caktohet data e zgjedhjeve në komunat veriore
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur për të hënën në takim partitë politike.
Ftesa e saj ka të bëjë me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre”.
“Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore”, ka njoftuar presidenca.
Njoftimi i plotë i presidencës:
Presidentja Vjosa Osmani fton subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të veriut të vendit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor.
Një ftesë e tillë është dërguar pasi që kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore.