Fillon Java Globale e Ndërmarrësisë me diskutim për programet e mbështetjes së startupeve

15 nëntor 2022 | 12:43

Në ditën e parë të aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një diskutim lidhur me programet e mbështetjes së startupeve me një panel të përbërë nga përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të sektorit privat, e cila nxiti një diskutim interaktiv me të rinj të interesuar për më shumë informata rreth programeve ekzistuese.

Duke i hapur zyrtarisht aktivitetet e Odës Amerikane në shënim të Javës Globale të Ndërmarrësisë, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Arian Zeka, ka thënë se për shkak të rëndësisë që i kushton Oda Amerikane promovimit të ndërmarrësisë, ka qenë pjesë e këtyre aktiviteteve që kanë shënuar këtë javë për një dekadë të plotë. Në Kosovë këto aktivitete kanë për nikoqir nacional, Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK).

Ai ka thënë se aktivitetet pesë ditore të Odës Amerikane do të fokusohen në temat e sivjetme të përcaktuara nga Rrjeti Global i Ndërmarrësisë (GEN) e që janë ekosistemet, edukimi, gjithëpërfshirja dhe politikat.

Dajana Berisha, drejtoresh ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka folur për rëndësinë e përkrahjes së të rinjve që kanë ide biznesi, pavarësisht nëse ato nisma ia dalin si të suksesshme ose dështojnë përgjatë rrugës, duke theksuar në veçanti ndërmarrjet sociale.

Sipas saj, nëse qeveria e mbështet sektorin e ndërmarrësisë shanset janë të mëdha për zhvillim, por procedurat burokratike që i përcjellin këto skema mund të shkaktojnë vonesa në disbursimin e përkrahjes monetare.

Krejt në fund udhëheqësja e FIQ tha se organizata që ajo drejton ka vendosur fokusin në mbështetjen e startupeve që kanë për ide aktivitetet digjitale dhe ato të gjelbra, ose të kujdesit për mjedisin.

Leonora Kusari, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka folur për programet që ata ofrojnë për të ndërmarrësit e rinj, me theks në programin Star Venture, i cili përveç asistencës teknike për zhvillim të biznesit ofron edhe ekspertizë për zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se asistenca që u ofrohet ndërmarrësëve ka të bëjë edhe me qasjen në fondet investive.

Kusari ka shtuar se falë mbulueshmërisë së rrezikut financiar që do të bëhet nga BERZH, për herë të parë një bankë komerciale, BPB, do të nisë me dhënien e kredive për startupe.

Më herët, banka TEB, falë përkrahjes nga BERZH-i, ka pasur linja të veçanta financimi për ndërmarrjet në pronësi të grave.
Kusari ka theksuar se për realizimin e një ideje të biznesit, përveç interesimit fillestar, është me rëndësi që të rinjtë të bëjnë edhe analizë ose hulumtim të hollësishëm të tregut.

Pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, ka folur për hapat që të rinjtë duhet t’i ndërmarrin për të krijuar një biznes të suksesshëm.

Gjithashtu ai foli për ato që i konsideroi si aspekte të rëndësishme për ndërmarrësi, si koha, orientimi në nevojat e tregut, por edhe egoja.

Palushi ka inkurajuar të rinjtë që aspirojnë për ndërmarrësi që të marrin parasysh këshillat e të tjerëve, duke theksuar se pasi të kenë kaluar nëpër këta hapa duhet të drejtohen në adresat e duhura për sigurim të financimit, përfshirë edhe garën për ide të bizneseve “Golden Idea”, të cilën e ka përkrahur financiarisht “Fondacioni Golden Eagle” e të cilën e ka realizuar televizioni ATV.

Ai sqaroi se qëllimi i kësaj iniciative ka qenë mbështetja e të rinjve të cilët kanë ide biznesi por kanë vështirësi në qasjen në financa për realizimin e atyre ideve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitime të pastra prej…