![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/08/halimi.jpg)
Halimi: Të gjithë rezervohen në deklarata, Gërvalla i hedh benzinë zjarrit
Shkrimi i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, lidhur me ngjarjet ne Poloni, ka ngjallur reagime të shumta.
Njëra ndër ta është edhe zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi.
Halimi përmes një postimi në “Facebook” është shprehur se është e pafalshme që e para e diplomacisë tonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj.
Madje, Halimi ka përmendur edhe disa situata tjera që sipas saj Gërvalla kishte gabuar.
“Është e pafalshme që e para e diplomacisë tonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj. Në një kohë kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime – që të mos ketë përshkallëzime – ministrja jonë e jashtme i hedh benzinë zjarrit. Përpos lëshimeve teknike e ngatërrimit të flamujve të shteteve, angazhimit të vobektë në njohjen e Kosovës, gabimet përmbajtjesore e deklarimet pa takt sikur ky i fundit, janë edhe më të rënda. Kabineti i madh e me shumë këshilltarë, duhet të angazhohen dhe të konsultohen, para se të bëhen të tilla gabime të panevojshme”, ka shkruar Halimi.
Gjithashtu, ajo ka shtuar se diplomacia, bëhet me urtësi e maturi, jo me temperament e vrull për t’u deklaruar.
Kjo sepse sipas saj e vënë shtetin tonë në pozitë të pafavorshme në politikën ndërkombëtare.