Kurti: ‘Zajednica’ nuk kaloi testin e Kushtetueses, është e pavlefshme

17 nëntor 2022 | 11:25

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kundërshtuar edhe njëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke ritheksuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të.

Kurti, në seancën plenare të së enjtes, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se përgjigja tashmë është e njohur: “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk e ka kaluar testin e Kushtetueses”.

“Sa i përket qëndrimit të Asociacionit apo ndryshe i njohur si ‘Zajednica’, ky është i njohur dhe i qartë, në një çështje të cilën jam përgjigjur pa numër herë. Pyetja është e vjetër. Marrëveshja e Brukselit nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, e cila praktikisht e ka shpallur atë të pavlefshme”, ka thënë Kurti.

Për akuzën e deputetes së PDK-së për mostransparencë të kësaj qeverie për dialogun Kosovë-Serbi dhe planin franko-gjerman, Kurti është përgjigjur duke thënë se “asnjëherë nuk kanë qenë më transparent”.

“Për bindjen time të fuqishme dialogu Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë më transparent. Ne kemi qenë transparent për qytetarët dhe publikun, kemi treguar kujdes e maturi për vetë procesin e dialogut. Takimet në nivel të lartë publik kanë qenë publike.  Me liderët e opozitës, i kam ftuar, jam takuar, kemi diskutuar për procesin e dialogut dhe hapat përpara të cilat janë bërë publike”.

“Tash, nuk mendoj që është e drejtë se transparenca është zero. Gjithashtu edhe në komisionin parlamentar ministrat, zëvendëskryeministri vjen. Unë i kam pasur në takim të tre liderët e tri partive opozitare, ku kemi diskutuar propozime, ide e opsione, që në mënyrë të popullarizuar njihet si propozim franko-gjerman. Unë kam marrë pjesë edhe në konferenca të jashtëzakonshme. Në njërën anë i përmbahem transparencës së procesit, mirëpo në anën tjetër edhe konfidencialitetit të bisedimeve”, është shprehur Kurti.

Përkundër që BE-ja ka bërë me dije se është në pritje të një përgjigje të Prishtinës zyrtare për planin franko-gjerman, Kurti në Kuvend, ani pse është pyetur, nuk është përgjigjur për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për propozimin franko-gjerman.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra,  para…