Dhoma e Tregtisë kërkon krijimin e Ligjit mbi Odat/Dhomat

17 nëntor 2022 | 14:20

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka kërkuar krijimin e një Ligj mbi Odat/Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë.

Bazuar në faktin që aktualisht është në shqyrtim Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon zgjerimin e grupit punues të krijuar për të themeluar një Ligj mbi Odat/Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që përfundimisht të gjitha Dhomat/Odat të funksionojnë në kuadër të këtij ligji, e jo siç janë duke funksionuar aktualisht si organizata joqeveritare.

“Republika e Kosovës që nga paslufta ka përqafuar sistemin Anglo-Amerikan që mundëson krijimin e shumë dhomave/odave dhe jo sistemin tjetër ku në shtet ekziston vetëm një odë/dhomë dhe anëtarësia është e obliguar. Siç dihet, sistemi ligjor në Kosovë e rregullon vetëm punën e Odës Ekonomike, ndërsa të gjitha odat/dhomat tjera që funksionojnë në vend janë të krijuara si organizata joqeveritare. Përmes këtij ndryshimi do të mundësohet rregullimi i mënyrës së funksionimit të të gjitha odave/dhomave që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Kosovës, përcaktohen kushtet dhe kriteret për të hapur një odë, e gjithashtu mundëson që odat/dhomat të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me njëra – tjetrën”, është theksuar në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.

Përveç kësaj, thuhet se Ligji për Odat/Dhomat është edhe në favor të bizneseve, sepse odat/dhomat do të aktivizohen vazhdimisht më shumë se sa aktualisht, në mënyrë që komuniteti i bizneseve që ato përfaqësojnë të jetë sa më i gjerë dhe të njëjtit të përfitojnë shërbime konkrete.

Gjithashtu, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron që anëtarësimi në oda/dhoma duhet të rregullohet në vullnetin e bizneseve, të cilat mund të zgjedhin se në cilën Dhomë do të anëtarësohen.

Republika e Maqedonisë së Veriut është një nga shtetet që ka të rregulluar Ligjin e Odave me të cilin rregullon themelimin, organizimin, punën, financimin dhe shuarjen e odave/dhomave ekonomike që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opozita ka paralajmëruar se së shpejti do të zhvillohet protesta…