Berisha paralajmëron protestë ditën e Samitit të BE në Tiranë, PS-ja e quan turp

17 nëntor 2022 | 14:19

Opozita ka paralajmëruar se së shpejti do të zhvillohet protesta e radhës. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për gazetarët nuk ka caktuar datë dhe vend, por ka thënë se do të vendoset brenda dy ditëve se kur do të zhvillohet, duke shtuar se populli opozitar do të vijë “në momentin e caktuar në Kuvend”, për t’i dhëne mesazh mazhorancës.

Berisha ka paralajmëruar protestë në ditën kur do të mbahet Samiti i Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Në momentin e caktuar këtu do të vijë populli opozitar t’u thotë nja dy gjëra këtyre. Ato gjëra i di populli. Populli vjen këtu për të dhënë mesazh. Protesta nuk është vendosur akoma, do të vendoset brenda dy ditëve. Brenda këtij viti. Këtu zbret Evropa. Evropa duhet të shohë popullin e saj. Unë nuk caktova datë, por populli opozitar do të jetë këtu patjetër. Nuk ndërpritet më kjo”, ka thënë Berisha.

Pyetje: Çfarë nënkuptoni kur thoni që do të vijnë qytetarët shqiptarë të përcjellin disa mesazhe konkrete parlamentit?

Sali Berisha: Do ia përcjellin, shko e pyete. Do t’i hyjnë vezirit brenda thua? Ato gjëra i di populli. Populli vjen këtu për të sjellë mesazh.

Pyetje: Protesta e radhës do të jetë tek parlamenti?

Sali Berisha: Protesta nuk është vendosur akoma do vendoset brenda 2 ditëve.

Pyetje: Do jetë brenda këtij viti?

Sali Berisha: Brenda këtij viti? Padiskutim.

Pyetje: Në sa dhjetor?

Sali Berisha: Këtu zbret Evropa.  Evropa do të shohë popullin e saj. Populli i Evropës është popull opozitar. Nuk caktova datë. Por populli opozitar do të jetë këtu patjetër. As mos e diskutoni atë punë. Nuk ndërpritet më kjo. Është betejë për votën e lirë, është betejë për lirinë, për të ardhmen e Shqipërisë. Asgjë nuk mund të na ndalojë ne në këtë betejë.

Lidhur me paralajmërimin që Berisha ka bërë  për datën 6 dhjetor kur në Tiranë vijnë krerët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor, Taulant Balla nga Partia Socialiste (PS), ka thënë se do të jetë fyese nëse do mbahet protesta e radhës në atë ditë.

“Dështimi i mitingut, planifikimi i mitingut të radhës. Ditën e Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor janë ata që shkaktojnë dhimbje që kthen këtu pastaj në formë fyese për ne. Teksa ne prisnim të merrnim fjalën për integrimin. Sali Berisha nuk e do integrimin. Nuk ka qenë këtu kurrë. Është sjelle për të penguar integrimin si sot. Ndaj fillojë pjesa e konfliktit të brendshëm”, ka thënë Balla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të fushatës “Çdo plumb e ka një shënjestër…