Gjykata holandeze konfirmon: Avioni civil ‘MH17’ u rrëzua nga një raketë ruse

17 nëntor 2022 | 16:12

Avioni civil i linjës malajziane “MH17” është rrëzuar nga një raketë e tipit “Buk” e lëshuar nga Pervomaisku, një lokalitet në rajonin e Luhanskut. Në kohën e rrëzimit territori ndodhej nën kontrollin e militantëve separatistë prorusë.

Kjo është pjesa e parë e vendimit përfundimtar për rrëzimin e avionit malajzian më 14 korrik 2014, lëshuar nga gjykata holandeze e ngritur pranë aeroportit Shiphol të Amsterdamit.

“Fragmentet e raketës Buk të gjetura në trupat e viktimave janë provë e pakundërshtueshme se ishte pikërisht kjo raketë që shkaktoi rrëzimin e fluturimit”, ka shpjeguar gjykata.

Mbi këtë ngjarje gjykata holandeze ka shpallur fajtorë të enjten tre persona dhe liroi një të katërt. Rusët Igor Girkin dhe Sergei Dubinsky dhe ukrainasi Leonid Kharchenko janë shpallur fajtorë për vrasje dhe shkaktimin e qëllimshëm të rrëzimit të një avioni, ndërsa rusi Oleg Pulatov është shpallur i pafajshëm.

Tetë vjet më parë, fluturimi “MH17” i “Malaysia Airlines” është rrëzuar derisa fluturonte mbi Ukrainën lindore.

Boeing “777” po transportonte 283 pasagjerë dhe 15 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa ata udhëtonin nga Amsterdami për në Kuala Lumpur më 17 korrik 2014.

Aeroplani është goditur nga një raketë ruse tokë-ajër dhe ka vrarë të gjithë personat në bord.

Në qershor 2019, katër persona – tre rusë dhe një ukrainas janë akuzuar për vrasje dhe shkatërrim të një avioni civil.

Gjyqi për vrasjen e tyre ka filluar në mars 2020 në Holandë dhe të enjten, më 17 nëntor është lexuar vendimi për personat e akuzuar për përfshirje në rrëzimin e “MH17”.

Në mars të këtij viti, Australia dhe Holanda kanë nisur procedurat ligjore në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil kundër Rusisë për rolin e saj në rrëzimin e fluturimit “MH17”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Prishtina mori një lajm të mirë pasi që mesfushori-sulmues,…