Buxheti për vitin 2023, Haradinaj: Të duhen 4 vjet shkollë për ta kuptuar që qeveria ka probleme me matematikë

17 nëntor 2022 | 16:52

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar dhe e ka quajtur “buxhet të varfërimit” projektbuxhetin e paraparë për vitin 2023.

Përkundër pozitës të cilët thonë së është “buxhet historik”, Haradinaj është shprehur se për herë të parë në historinë e Kosovës, kemi një buxhet më të vogël në krahasim me vitin paraprak.

Në një postim Haradinaj ka përmendur disa çështje që sipas tij e vërtetojnë atë që e thotë ai.

“Buxheti i paraparë në kufijt e shpenzimeve 3 miliardë e 212 milionë euro, nominalisht 10.8% më i madh sesa ai i vitit 2022, në fakt është për një të katërtën më i vogël. Nëse shumës së paraparë, ia zbresim 20% inflacion (sipas Bankës Botërore) dhe inflacionin prej 4.3% që qeveria e ka paraparë për vitin 2023, atëherë vlera reale e buxhetit bie në 2.5 miliardë, e që është 400 milionë euro më i vogël sesa buxheti i vitit 2022. Për të qenë më i qartë, qytetarët që marrin paga nga shteti, shërbyes civilë, pensionistë dhe të gjitha kategoritë e tjera, do të jenë për 25% më të varfër krahasuar me 2022, sepse me pagat e tyre do të blejnë 25% më pak mallra të konsumit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Haradinaj ka theksuar se mjaftojnë katër vjet shkollim që të kuptohet se qeveria Kurti ka probleme me matematikë.

“Qesharake është edhe projeksioni i të hyrave doganore dhe të atyre të akcizës, që parashihen të rriten 3.4%, përkatësisht 4.5%, ndërkohë që rritja e çmimeve të importit parashihet në 8.5%. Duhet të kesh mbaruar katër vjet shkollë fillore, për të kuptuar se qeveria Kurti ka probleme serioze me operacionet e thjeshta matematikore”,  ka shkruar Haradinaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania e statistikave “Gracenote” i ka publikuar parashikimet e saj…