Mehaj në Kanadë: FSK-ja e gatshme t’i ndihmojë në trajnime popullit ukrainas

19 nëntor 2022 | 18:20

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me homologen e tij, ministren e Mbrojtjes së Kanadës, Anita Anand, në kuadër të punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax.

Në takimin me ministren kanadeze, siç bën të ditur Ministria e Mbrojtjes me anë të komunikate për media, Mehaj tha se Kosova është e gatshme t’i ofrojë trajnime popullit ukrainas nëpërmjet FSK-së për deminim dhe kërkim-shpëtim.

“Përtej kësaj, dy ministrat, diskutuan për thellimin e bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve, e sidomos bashkëpunimin sa i përket misioneve të përbashkëta ushtarake, me ç’rast Ministri Mehaj shprehu gatishmërinë tonë për t’i ofruar ndihmë popullit ukrainas me kapacitetet e FSK-së, përmes trajnimeve për kërkim-shpëtim dhe deminimit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në njoftim, më tej vijohet se temë tjetër ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE. “…ngase Ballkani Perëndimor më shumë se kurrë ka nevojë për shtete që përqafojnë politikat evropiane”.

“Me këtë rast, Ministri Mehaj i shoqëruar nga zv.komandanti i FSK-së, Gjeneralmajor Enver Cikaqi, e njoftoi Ministren Anand për avancimet që Ushtria e Republikës së Kosovës ka bërë në shumë drejtime përmes implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit dhe investimit që është bërë në blerjen e armatimeve e shkollimin e kuadrove të reja të oficerëve e ushtarakëve në përgjithësi, e me theks të veçantë hapat që janë ndërmarrë për inkuadrimin e vajzave në FSK dhe trajnimin për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse”, vijon ndër të tjera komunikata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lufta në Ukrainë do të përfundojë deri në fund të…