Hilli pas takimit me Vuçiqi: BE-ja mos të lërë në hije çështjet e mëdha për probleme të vogla

22 nëntor 2022 | 13:38

Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Christofer Hill, ka deklaruar se ka pasur një bisedë të mirë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Hilli ka theksuar se Uashingtoni vazhdon të mbështesë përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) në dialogun Kosovë-Serbi, dhe i ka bërë thirrje presidentit serb që të vazhdojë me angazhim konstruktiv në procesin e Brukselit.

“Qasja konstruktive është gjithsesi mënyra për gjetjen e zgjidhjeve”, ka theksuar Hilli, pas takimit, duke shtuar se beson që të dyja palët duhet ta kuptojnë se duhet të gjejnë një zgjidhje.

Ambasadori amerikan në Serbi, ka thënë se janë të kënaqur me përpjekjet e BE-së dhe me qasjen e tyre.

“E shoh impresionues faktin që një person i rangut të Joseph Borrell, angazhohet 8 orë për zgjidhjen e një çështjeje”, ka deklaruar Hill, duke shtuar se BE-ja po bën punë të shkëlqyeshme por nuk duhet të lejojë që problemet urgjente të qesin në hije pikëpyetjet e rëndësishme.

Për bisedimet e së hënës në Bruksel, Hilli ka thënë se nuk do të donte t’i quante negative, por ajo që ka ndodhur, ka treguar se ekziston nevoja për bisedime të tjera.

Mënyra që të gjendet zgjidhja është fleksibiliteti me përpjekjet e ndërmjetësuesve të BE-së, ka përfunduar Hill.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë dy çështje të pakapërcyeshme për ta zgjidhur përfundimisht problemin…