LDK-ja distancohet nga Skender Hyseni: Figurë pa fuqi politike, kontaminon diskursin publik

23 nëntor 2022 | 12:35

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të anëtarit të saj, Skender Hysenit, prej të cilit është distancuar.

Ish-zyrtari i lartë i LDK-së dhe i shtetit, Skender Hyseni, ka krahasuar dje qasjen e presidentes Vjosa Osmani me qasjen e liderit famëkeq serb, Sllobodan Millosheviqit.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, që është edhe pjesë e kryesisë së partisë, ka thënë se LDK-ja ka dy vjet që është distancuar nga mendësia si e Hysenit.

“LDK-ja jo vetëm që distancohet nga gjuha e tij, por LDK-ja ka dy vjet që është e distancuar nga mendësia e tillë politike. Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot, zënë hapësira mediale e kontaminojnë diskursin publik”, ka thënë Halimi për “Express”.

Presidentja Osmani e ka quajtur pardje të njëanshme qasjen e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas bisedimeve në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Këto deklarime të Osmanit, ish-ministrit të Jashtëm, Skender Hyseni po i përngjajnë me ato të Enver Hoxhës e Sllobodan Millosheviqit.

“Edhe Millosheviqi e quante krejt botën armiq të Serbisë, atëherë kur bota neve na ndihmonte, edhe ata e quanin krejt botën, krejt bota janë armiq të Serbisë. Edhe Vjosa Osmani dje tha se krejt bota janë armiq të Kosovës dhe po ia mbajnë anën Serbisë. Po kjo nuk është e vërtetë fare”, është shprehur Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 109-të ka shfuqizuar vendimin…