Osmani: Me NATO-n koordinohemi për të gjithë territorin, Kosova është e pandashme

27 nëntor 2022 | 15:02

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot kazermën “Adem Jashari” me rastin e  “Ditës së Forcës” të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në një prononcim para gazetarëve, ajo ka theksuar se me bashkësinë ndërkombëtare ka një koordinim të vazhdueshëm për tërë territorin e Kosovës, dhe jo për ndonjë rajon specifik.

“Deri më tani kam pasur disa takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe natyrisht se diskutojmë për ndërveprimin tonë më NATO-n dhe koordinimi ynë më NATO-n është i nevojshëm për tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm për veri”.

“Ne flasim për të gjithë territorin, Kosova është e tëra dhe është e pandashme. Andaj çdo koordinim i yni me bashkësinë ndërkombëtare është për tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Më tutje, ajo ka thënë se FSK-ja është duke treguar sukses të madh në transformimin në Ushtri të Kosovës.

Sipas saj, synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO pasi që tashmë forcat e FSK-së veçse janë duke kontribuar në misione paqeruajtëse përkrah ushtrisë amerikane.

Së bashku me presidenten është parë edhe Rifat Jashari (vëllai i legjendarit Adem Jashari).

Interesimi i qytetarëve ishte i madh për këtë ngjarje ku janë demonstruar aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Al Nassr është i gatshëm t’i japë Cristiano Ronaldos plot…