Kurti takoi raportuesin special të OKB-së, bisedojnë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës

29 nëntor 2022 | 13:01

Angazhimi i qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nismat për drejtësi tranzicionale, ishin tema të takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Fabian Savioli, raportues special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garantimit të mospërsëritjes.

Me këtë rast, Savioli ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës.

Ndërsa Kurti ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi. Ai ka thënë se “na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”.

Më tutje, Kurti ka veçuar disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë kombëtare për drejtësi tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Po ashtu,  Kurti ka folur edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi, dhe Serbia refuzon të i dorëzoj ata para drejtësisë.

Në këtë takim, Kurti ka përmendur edhe çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ai ka ritheksuar domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është shprehur e bindur se…