Haziri: Prej prioritetit të shtatë, Kurti e nxori në prioritet të parë dialogun

01 dhjetor 2022 | 18:49

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka drejtuar një sërë akuzash ndaj kryeministrit, Albin Kurti, lidhur me zhvillimet e fundit në vend.

Haziri komentoi edhe deklarimin e Kurtit se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte më shumë informacione rreth situatës në veri, për çka Haziri konsideron se Kurti po fshihet pas hijes së madhe të ambasadorit Hovenier.

“A e patë Kurtin si iku e si u fshehë pas hijes së madhe të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier?! Kur e ka lutur BE kryeministrin e Kurti në vitin e parë të qeverisjes për të hyrë në dialog, ky i fundit ka thënë se nuk është prioritet i qeverisjes së tij”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.

Sipas Hazirit, fillimisht Kurti ka kërkuar rishikim të marrëveshjeve, lexim të transkripteve e procesverbaleve, duke akuzuar rëndë qeveritë paraprake.

“Prej prioritetit të shtatë, ky kryeministër e nxori në prioritetin e parë dialogun me Serbinë dhe i pranoi të gjitha marrëveshjet, e duke hequr dorë krejtësisht edhe nga konfiskimi dhe gjobat për targat. Pse u dashtë kjo dramë nga Kurti, duke i rrezikuar seriozisht raportet me ShBA-në, të ndërtuara tash e 32 vjet më parë nga Presidenti Rugova, e pas dy ditësh të pranojë gjithçka?!”, ka shkruar Haziri.

Ai ka vazhduar se: “Çka të themi tash pos që me mashtrime perfide i fitoi zgjedhjet e fundit?! Veç keni pengu për vizat, asgjë s’keni bërë për MSA e NATO përpos raporteve tê tensionuara me ta. Nuk keni prapa kujt të fshiheni!”, ka shkruar Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Procesi i Berlinit…