Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e drejtësisë, ta ruajmë miqësinë me aleatin tonë SHBA-në

11 nëntor 2022 | 17:31

Opinion i Male Krasniqi lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në Kosovë

Jam detyruar të largohem nga Kosova në vitin 2014 për mungesë sigurie për shkak të angazhimeve të mia politike dhe për shkak të një konflikti gjaku në Kosovë.
Konstatoj me keqardhje se Kosova vazhdon të jete një vend i pasigurt ku korrupsioni shtohet çdo ditë dhe ku të rinjtë vazhdojnë të largohen nga Kosova. Ajo që me shqetëson sot është sepse qeverisja e tanishme e drejtuar nga Lëvizja për Vetëvendosje po e çon Kosovën drejt falimentimit dhe shkatërrimit të saj.

Premtimet e saj për të luftuar korrupsionin me të cilën erdhën në pushtet nuk ishin veçse premtime elektorale pasi u bë më shumë se një vit në pushtet dhe qeverisja e saj nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të luftuar korrupsionin e të gjithë atyre që keqeverisën Kosovën nga mbarimi i luftës në Kosovë.

Ajo çka është edhe më keq, Lëvizja Vetëvendosje po prish dhe ekuilibrin e miqve dhe aleatëve perëndimorë të Kosovës, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Kështu lideri i LV-së dhe kryeministri i saj refuzoi të merrte pjesë në nismën e Ballkanit të Hapur që mbështetej nga Amerika dhe Bashkimi Evropian duke rrezikuar kështu izolimin e Kosovës.

Politikat ekonomike të qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje kanë dështuar gjithashtu, premtimet për vende të reja pune, një shëndetësi falas dhe ndërtimi i një sistemi të drejtësisë, policisë dhe administratës publike me njerëz të kualifikuar nuk u bënë realitet. Strukturat e partive tjera vazhdojnë të jenë të fuqishme në shtetin e Kosovës dhe Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e drejtësisë.

Po ashtu retorika e vazhdueshme e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë po shkakton largimin nga Kosova të pakicave dhe tërheqjen e tyre nga qeverisja lokale siç ishte rasti i fundit për çështjen e targave të makinave duke sjell kështu një kolaps të jetës politike dhe izolim të Kosovës.

Uroj dhe shpresoj qe komuniteti ndërkombëtar të bëjë presionin e vazhdueshëm mbi qeverinë aktuale të Kosovës dhe po ashtu opozita politike me në krye LDK-në, për të ndryshuar kahjen dështuese të saj për të ndihmuar kështu popullin e vuajtur të Kosovës dhe kthyer shpresën të të rinjtë e Kosovës.

Le të shpresojmë së bashku

(Autori jeton në ShBA dhe qëndrimet e tij janë personale)

11 nëntor 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zija (Gjimshit) Bilalli nga Dragashi ( Brrut ) me adres…