Përdorimi i shprehjeve të huaja në futboll

05 dhjetor 2022 | 00:33

Në vend se t’i përdorim emërtimet e bukura shqipe në futboll dhe përgjithësisht në sport, ne po i përdorim me kënaqësinë më të madhe emërtimet e huaja (për t’u dukur kinse më modernë), e në këtë mënyrë po e nënçmojmë gjuhën tonë të bukur shqipe. Fajin më të madh për nënçmimin që po ia bëjnë shqipes e kanë gazetarët.

Ne e kuptojmë se jo të gjitha emërtimet e huaja në futboll mund të zëvendësohen me fjalë shqipe (gjegjëse të sakta), por së paku ato emërtime që i kemi duhet t’i përdorim në gjuhën tonë, sepse sikur kemi filluar të shndërrohemi në popull imitues thuajse në secilën fushë të jetës. Mjafton t’i shohësh emërtimet që po ua bëjnë emisioneve të ndryshme televizive, tituj të ndryshëm në masmedie (portalet po bëjnë kërdi në këtë drejtim), restoranteve, dyqaneve, ngjarjeve të ndryshme etj..

Jam i vetëdijshëm se kjo është temë më vete dhe që u përket njerëzve të fushës, por si një dashamirës i shqipes e pashë të arsyeshme t’ua bëja këtë vërejtje, sepse shumë prej tyre vazhdojnë ta masakrojnë në çdo aspekt gjuhën e ëmbël shqipe. Është koha që gjuhëtarët të jenë më këmbëngulës në këtë drejtim, pse jo edhe duke u dërguar vërejtje me shkrim të gjitha televizioneve kudo në trojet shqiptare.

Ja disa prej shprehjeve të huaja që gazetarët, analistët e komentatorët tanë po i përdorin në komentimet dhe shkrimet e tyre për futbollin:

Akordim (akordon penallti), arbitër, refer, traversë, faul (faulloi), korner, transverzale, merkato, pressing, atak-atakim, defansive, ofansive, ofansiv, defansiv, tratativë, reprezentacion, selektor, referim (referim përdoret gabimisht, kjo fjalë ka krejt kuptim tjetër) etj..

Ja disa prej shprehjeve shqipe që mund t’i përdorim në futboll:

Goditje nga këndi apo këndore, rivënie anësore, fundore, nisje, rinisje, ndërhyrje, afat kalimi, shtylla pingule apo shtylla vertikale, shtylla horizontale, lojë mbrojtëse, lojë sulmuese, mbrojtës, sulmues, sulmon, niset përpara, gjyqtar, kombëtare apo përfaqësuese, përzgjedhës, trajner etj..

Ndoshta për disa shprehje nuk mund të ndërhyjmë (ekspertët e gjuhës vendosin për prurjet apo emërtimet e reja), por ato që i ka shqipja dhe që mund të përshtaten në shqip përse t’i anashkalojmë.

Me këtë rast pyes:

Përse nuk bashkëpunohet më shumë me gjuhëtarët në lidhje me emërtimin shqip për të gjitha shprehjet e mundshme sportive?

Këtë vërejtje e bëra veç si një dashamirës gjuhe. Mendoj se gjuhëtarët duhet të punojnë edhe më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që t’ia ndalim hovin kësaj dukurie të shëmtuar, e cila përditë e më shumë po rritet e po zë vend në shoqërinë tonë.

Tashmë ekzistojnë disa grupe të gjuhës, të cilat po bëjnë një punë të shkëlqyeshme mbi rregullat e drejtshkrimit të shqipes, si dhe po na japin shpjegime të mira në lidhje me përdorimin e panevojshëm të shprehjeve të huaja. Pra, gjuhëtarët vazhdimisht po na e tërheqin vërejtjen për bastardimin që po i bëhet gjuhës së ëmbël shqipe.

I falënderojmë të gjithë mësuesit dhe profesorët e gjuhës, të cilët po japin një kontribut të madh në këtë drejtim!

Kërkoj falje për ndonjë gabim të mundshëm drejtshkrimor, sepse unë nuk jam as një mësues gjuhe, por temat për drejtshkrimin dhe shqipen në përgjithësi më tërheqin pa masë.

Uroj që ky shkrim imi të gjejë mirëkuptim tek të gjithë ata/ato që po i bëjnë këto lëshime e gabime të panevojshme, si dhe të jetë një përkrahje dhe kurajë për të gjithë profesorët e  shqipes, të cilët nuk po e gëzojnë respektin e duhur nga institucionet përkatëse të arsimit shqip në të dyja anët, edhe pse disa prej gjuhëtarëve tanë po bëjnë më shumë se vetë institucionet arsimore të të dyja shteteve tona.

Xheladin Halili, anëtar aktiv i shoqatës “Dashamirët e Shqipes”

(Marrë nga faqja: Vërejtje dhe rregulla gramatikore).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analistja Zana Avdiu është e ftuar në emisionin “Favoriti i…