Kurti takon Imzot Vincenzo Paglia, bisedojnë për të drejtat e qytetarëve dhe liritë fetare

07 dhjetor 2022 | 11:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën dhe Kancelar i Institutit  “Gjon Pali II”, së bashku me Mario Giro, ish-zëvendësministër i Jashtëm i Italisë.

Në këtë takim është diskutuar për fushat potenciale të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me Selinë e Shenjtë në Vatikan, në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në njoftimin për media të zyrës së kryeministrit është thënë se ndër të tjera është biseduar për të drejtat dhe liritë e qytetarëve, në veçanti liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U theksua se mbrojtja e tyre sigurohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta.

“U theksua se Kosova është vend demokratik, i ndërtuar mbi bazën e sigurimit të respektimit të drejtave dhe lirive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Po ashtu, se mbrojtja e trashëgimisë kulturore paraqet një prej prioriteteve programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Në këtë takim është vlerësuar pasuria kulturore e vendit tonë, si vlerë universale dhe çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme. që jetojnë në shtetin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa TAR që prej fillimit ka dyshuar lidhur me një…