Osmani: Në territorin e Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë

09 dhjetor 2022 | 13:20

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me situatën në veri.

Osmani ka shkruar në “Facebook” se kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste.

“Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999. Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

“Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”, ka shkruar presidentja Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas eliminimit të Spanjës nga Maroku, Fabio Capello është shprehur…