Quint-i mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve në veri

10 dhjetor 2022 | 18:42

Shtetet e Quint-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, u tha në njoftimin e Quint-it.

Në Quint bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet në veri janë shtyrë për 21 prill 2023.

Zgjedhjet për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, fillimisht ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, që nga 6 dhjetori në veri të Kosovës janë shënuar disa incidente të armatosura. Ndërkaq, të shtunën serbët lokalë nisën që të bllokonin disa rrugë atje.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha Osmani, pas takimit që pati me partitë politike, ku u vendos për shtyrjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në veri do të mbahen pasi në nëntor, kryetarët e katër komunave, por edhe zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në…