Krasniqi thotë se shtyrja e zgjedhjeve në veri nuk është në harmoni me Kushtetutën

10 dhjetor 2022 | 18:56

Drejtori i programeve në organizatën joqeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi, ka thënë se shpallja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit ka qenë gabim qysh në fillim.

Ai ka theksuar se përtej pamundësisë për të ofruar siguri për akterët në zgjedhje, kontestuese do të ishte edhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga një proces i tillë zgjedhor.

Krasniqi ka deklaruar se shtyrja e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit.

“Përgjatë kësaj kohe, Presidenca dhe Qeveria u sollën sikur gjoja mbajtja e zgjedhjeve në veri është një proces i thjeshtë teknik me të cilin duhet të merret KQZ-ja. Shtyrja e zgjedhjeve është veprim i arsyeshëm, por që shpërfaqë naivitet dhe dobësi të institucioneve. E para, pasi nuk ishin të aftë të vlerësojnë drejtë situatën në teren; dhe e dyta, pasi nuk qenë në gjendje t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre. Përkundër këtyre, shtyrja e datës së zgjedhjeve të shpallura, nuk është as në harmoni me Kushtetutën. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka shtuar se “për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme te këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve”.

Krasniqi thotë se në këtë vend ka ligje dhe institucione të cilat duhet të respektohen pavarësisht situatës.

“Kështu krijohen precedent të rrezikshëm që mund të abuzohet në të ardhmen”, ka shkruar ai.
.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Quint-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e…