Kurti për situatën në veri: Agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi

10 dhjetor 2022 | 21:21

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për situatën e fundit në veri.

Ai ka shkruar në “Facebook” se ka disa ditë që Serbia kërcënon Kosovën me agresion.

Kryeministri Kurti ka thënë se me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse.

Sipas ti, Kosova nuk do konflikt, do paqe dhe progres, por thotë se agresionit “do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”.

“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së. Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviqit dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së. Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës). Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak.

“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës. Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia. Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca e ka përfunduar në avantazh pjesën e parë përballë…