Murati: Politika e jashtme e Kosovës, konfuze dhe pa ndonjë busull të qartë

12 dhjetor 2022 | 12:48

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka vlerësuar se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe koordinuar me aleatët strategjikë.

Në këtë kontekst, Murati ka thënë se diplomacia e Kosovës është konfuze dhe pa ndonjë busull të qartë.

“Politika e jashtme e shteteve të vogla si Kosova duhet të jetë shumë e kujdesshme e balancuar e fokusuar dhe e koordinuar me ata që i konsideron aleat strategjikë. Përshtypja ime është që politika e jashtme e kësaj qeverie është konfuze dhe pa ndonjë busull të qartë. Ka një tension me aleatët kryesorë e sidomos me ShBA-në dhe BE-në e që lidhet kryesisht me qasjen rreth dialogut, dhe ka një izolim të pakuptueshëm në raport me shtetin shqiptar dhe mungesë e dukshme e koordinimit të politikës së jashtme në kohën e ngritjes së peshës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Murati në një intervistë dhënë “Epokës së re”.

Pavarësisht kësaj, Murati ka thënë se kohëve të fundit është vërejtur një aktivizim i diplomacisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Sigurisht në raport me vijën strategjike, siç u dëshmua me qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, edhe kjo qeveri ka koordinuar politikat e saj me atë të aleatëve. Kohëve të fundit vërehet një aktivizëm në përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku është aplikuar në pranverën e këtij viti dhe ku gjasat janë reale për t’i anëtarësuar, përkundër mos procedimit të deritanishëm të kërkesës sonë dhe kushtëzimit jo publik me rezultatet e dialogut. Po ashtu pritet aplikimi për vend kandidat në BE, një hap që ndonëse mund të konsiderohet se nuk do të jap rezultat konkret, duket se qeveria po e bën si një lloj presioni politik mbi Bashkimin Evropian, por edhe si një veprim politik në funksion të politikës së brendshme”, ka thënë Murati.

Ripërcaktimi i kufijve përmbyll kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylie Jenner ka sfiduar të ftohtin e Aspenit së fundmi,…