![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/12/1-rama.jpg)
Rama: Dhuna nuk duhet të ketë vend në sport
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas incidentit në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës.
Tifozët e të dyja skuadrave kanë hedhur mjete piroteknike, shpërthyese, e gjësende në drejtim të njëra-tjetrës, vetëm pak pasi përfundoi pjesa e parë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet.
Rama ka shkruar në “Facebook” se dhuna në atë takim është i papranueshëm dhe se nuk ka vend në kryeqytet dhe asnjë vend tjetër. “Dhuna e shfaqur në ndeshjen KB Prishtina – KB Trepça është e papranueshme dhe nuk ka vend në kryeqytet e askund tjetër. Jemi të lumtur që KB Prishtina fitoi Superkupën, mirëpo nga dhuna e shfaqur u zbeh edhe gëzimi për fitoren e merituar. Sporti ka të bëjë me shpirtin garues në frymë tolerance e respekti reciprok, prandaj u bëj thirrje edhe tifozëve që ta kultivojnë një frymë të tillë”, ka shkruar Rama.
Pas incidentit në sallë, Policia e Kosovës mori vendim ta zbrazë palestrën në mënyrë që të zhvillohet pjesa e dytë. Në fund, Prishtina triumfoi për herë të tetë në histori në Superkupën e Kosovës në basketboll.