Gjykata cakton një muaj paraburgim për ish-policin serb

12 dhjetor 2022 | 16:34

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është caktuar një muaj paraburgim.

Gashi ka thënë se Pantiqi dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Pantiqi është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

Serbët lokalë kanë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në ditën e arrestimit të tij.

Pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë kanë thënë se udhëheqësit e Kosovës janë duke u përpjekur “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative…