Fillon fushata “Për Kosovën pa korrupsion”

14 dhjetor 2022 | 15:09

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, e mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, ka filluar të mërkurën një fushatë për informimin e publikut e cila promovon rolin e saj në kontrollin e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët, parandalimin e konfliktit të interesit si dhe hetimin e raporteve të sinjalizimit.

Fushata e quajtur “Për Kosovën pa korrupsion”, e cila i bën thirrje publikut të raportojë korrupsionin, fillon pas miratimit të ligjeve të reja të cilat e forcuan mandatin e Agjencisë duke i dhënë kompetenca dhe detyra shtesë, përfshirë sanksionimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve dhe vlerësimin e hapësirave për korrupsion në legjislacion.

“Legjislacioni i ri qartëson mandatin parandalues të Agjencisë si dhe e pajisë atë me mjete thelbësore për parandalimin e korrupsionit. Për më tepër, roli i pranisë së BE-së në Kosovë përkitazi me përpjekjet e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit është vendimtar”, ka thënë drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë, kjo fushatë do të përfshijë pesë video dhe një broshurë të cilat ofrojnë informata për mandatin e Agjencisë, mënyrat se si publiku mund të raportojë korrupsionin, si dhe për gjobat dhe sanksionet me të cilat mund të përballen zyrtarët dhe institucionet nëse nuk e respektojnë ligjin.

“BE-ja e mbështet Kosovën në luftën kundër korrupsionit me qëllim që ta ndihmojë të afrohet me BE-në. Sigurimi i sundimit të ligjit është qëllimi ynë i përbashkët dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, duke përfshirë edhe këtë fushatë. Ne ishim të lumtur të mirëpresim miratimin nga Kuvendi i Kosovës në fillim të kësaj vere të disa ligjeve kyçe për parandalimin e korrupsionit nga Kuvendi përfshirë këtu edhe Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ligjin për Deklarimin e Pasurisë. Të dyja këto ligje janë pjesë e Agjendës së Reformave Evropiane të Kosovës. Tani është koha për zbatimin e plotë të tyre dhe për t’i ndarë Agjencisë të gjitha burimet që i nevojiten për zbatimin e mandatit të saj”, ka theksuar ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

BE-ja në Kosovë është duke punuar si me legjislativin edhe me ekzekutivin për të ndihmuar në harmonizimin e ligjeve dhe praktikave të Kosovës me ato të BE-së si pjesë e procesit të integrimit në BE.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku ka nënshkruar…