Grupi Parlamentar i PDK-së nuk merr pjesë në fjalimin vjetor të presidentes

15 dhjetor 2022 | 09:19

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të presidentes Osmani, sepse konsideron se është tërësisht farsë dhe pa asnjë përmbajtje. Kështu është bërë me dije nga kjo parti në njoftimin për medie.

“Grupi Parlamentar i PDK-së konsideron se organizimi i sotëm i fjalimit vjetor të presidentes Vjosa Osmani, para deputetëve të Kuvendit, është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së presidentes”.

“Gjuha jo unifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse e presidentes Osmani, apo heshtja kur e ka obligim të jetë në shërbim të çdo qytetari nga frika se mos nuk është në pajtim me partnerin e saj politik, janë shembuj tipik të një personi që nuk është kredibil ta ushtrojë detyrën shtetërore që aktualisht e gëzon”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“Shembujt për këtë janë të shumtë, përfshirë edhe ato të ndërhyrjeve në punësime të familjarëve, shkarkimeve politike dhe mosmbështetjes së punonjësve në sektorin e arsimit, atë të shëndetësisë dhe shërbyesve civilë. Grupi Parlamentar i PDK-së vlerëson se po të mos ishte prirja joparimore e këtij pushteti për të prodhuar performanca të tilla neveritëse mbase këtë ngjarje ky pushtet ka qenë e udhës ta organizojë në zyrat e  Vetëvendosjes përballë aktivistëve të kësaj partie, e jo para të deputetëve të Republikës”, theksohet tutje në njoftimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, për një vit, e para e shtetit ka qenë në shërbim të të parëve dhe kundër deputetëve të Republikës së Kosovës, dhe jo vetëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për pranimin e 612…