Trajkoviq thotë se policia serbe nuk po ia mundëson kalimin në Merdare

16 dhjetor 2022 | 08:57

Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë të premten se policia e Serbisë nuk është duke e lejuar të hyjë në Serbi.

“Jam duke qëndruar në linjën administrative për 11 orë, pa sqarime, pa arsye, dokumentet më janë konfiskuar ilegalisht dhe më është parandaluar liria e lëvizjes”, ka thënë Trajkoviq përmes një postimi në “Twitter”.

Ajo fillimisht është ndaluar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 15 dhjetor, kur ka tentuar të hyjë në Kosovë, dhe sërish pasi ka tentuar të largohet nga ky shtet.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk është deklaruar lidhur me këtë rast, dhe as nuk u përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë pse është ndaluar Trajkoviq, e cila shpesh kritikon politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 15 dhjetor, Trajkoviq është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, Hovenier ka thënë se kërcënimet dhe frikësimet për shkak të qëndrimeve politike, janë të papranueshme në shoqëritë e lira dhe demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktvendimin për…