Hapet edicioni i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur (foto)

16 dhjetor 2022 | 19:58

Sot në sheshin “Zahir Pajaziti”, në pjesën e amfiteatrit është hapur Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni i tretë.

Në këtë panair janë të ekspozuar rreth 2 000 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur nga fusha e letërsisë, e gjuhësisë, e historisë, e etnologjisë, e etnografisë, e antropologjisë, e filozofisë, e eseistikes, e estetikës, e filmit, e teatrit etj, shkruan “Epoka e re”.

Po me rastin e hapjes së panairit, në bashkëpunim dhe bashkorganizim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, është hapur ekspozia “Të ndarë, por të pashkëputur” dhe ekspozita me dokumente arkivore Dhimitër Pasko.

Të pranishëm në hapjen e panairit ishin drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido dhe ndihmësorganizatori i panairit, Berat Armagedoni.

Hapja e panairit u vlerësua si ngjarje e rëndësishme kulturore, duke theksuar se libri i vjetër, libri i rrallë dhe i përdorur ka rëndësinë e tij kulturore.

Në ditën e parë të panairit pati interesim të madh nga lexuesit, të cilët janë adhurues të librit të vjetër, të rallë dhe të përdorur.

Gjatë këtij panairi do të ketë edhe aktivitete të tjera, diskutime, e tryeza me autorë të ndryshëm.

Ky panair do të jetë i hapur deri më 18 dhjetor.

Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur është organizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Drejtorisë së Kulturës të Komunës së Prishtinës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në sallën operative të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare…