Hapet Qendra e Informuese për Shëndetin e Gruas edhe në Dragash

20 korrik 2018 | 13:34

Të premten me një ceremoni zyrtare janë hapur dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Dragash, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Dragashit, QKMF-së, Bankës Raiffeisen dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

“Themelimi i Qendrës në Dragash shënon pikën e 9-të në Kosovë që inkuadron programin edukativ të qendrave si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës në nivelin primar. Qendra “Klasat për Nëna” në Dragash do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës”, është shprehur përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beselica-Beha.

Qendra Informuese në Dragash është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Dragashit, si dhe partneret e tyre.

Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Dragash, ne uebfaqen e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës – Klasat për Nëna.

Që nga viti 2014 kur u themelua ky program, Klasat për Nëna janë të shtrira në tetë komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Pejë, Shterpcë dhe Dragash.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani rikthehet në Evropë më shpejtë nga sa pritet dhe…