Haradinaj në Lipjan premton përkrahjen e Qeverisë për komunat

20 korrik 2018 | 14:33

“Në Lipjan shihet një vonesë e Qeverisë nacionale në përcjelljen e projekteve të cilat kanë qenë të buxhetuara, të dakorduara. Janë disa tema që kanë rëndësi jetike për jetën e qytetarëve.Dhe bashkërisht po mundohemi me ecë, me i përcjellë këto tema”, kështu ka thënë të premten kryeministri Ramush Haradinaj pasi ka vizituar Komunën e Lipjanit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti, si dhe me drejtorë të drejtorive komunale.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se Qeveria nacionale duhet të marrë më me përgjegjësi dhe me një angazhim më të madh obligimet, që kjo komunë, por edhe të gjitha komunat tjera kanë, problemet me të cilat ballafaqohen, të zgjidhen sa më shpejtë dhe kështu të ecet përpara.

Haradinaj ka thënë se nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti u njoftua për investimet që do t’i nevojiteshin shumë kësaj komune, siç janë, përmirësimi në infrastrukturë, si rrugore, sportive, atë të ujërave të zeza dhe u zotua që këto çështje të përcillen me vëmendje, përmes koordinatorit nacional, Besnik Tahiri, që përveç reformës në administratë, ka marrë përsipër edhe komunikimin me komunat.

Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se me kryeministrin u bisedua për proceset me të cilat menaxhon dhe administron kjo komunë, për projektet kapitale dhe për problemet të tjera me të cilat ballafaqohet ajo.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të mirëmbajtjes së hapësirave publike të premten ka…