Vriten dy shqiptarë në Athinë, vrasësi e priti në shkurre
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati mafioz që tronditi Athinën mbrëmjen e së dielës, kur dy shqiptarë u ekzekutuan me armë zjarri në mes të lokalit plot me klientë në lagjen “Nea Smyrni”.
Sipas mediave greke, autori i ngjarjes dyshohet se ka pasur si synim të vriste 41-vjeçarin shqiptar. I vrarë mbeti edhe një tjetër shqiptar, i cili ishte 44-vjeç.
Atentatori kishte qenë në lulishten aty pranë lokalit dhe vëzhgonte zonën. Teksa lokali ishte i mbushur plot me klientë autori futet në lokal. I maskuar mekapuçin e xhupit që e mban në kokë dhe në fytyrë një maskë anti-Covid, ai afrohet tek tavolinat e jashtme të lokalit në lagjen “Nea Smyrni” dhe hap zjarr me pistoletë duke qëlluar në drejtim të objektivave të tij. Më pas u largua qetësisht. Krahas dy shqiptarëve që kanë ndërruar jetë, ka mbetur e plagosur edhe një grua që dyshohet se është pronarja e lokalit. Një nga pistat e hetimit është larja e hesapeve.