Ndërron jetë ish-punonjësja e bibliotekës, e përkujtojnë kolegët

19 dhjetor 2022 | 11:00

Ka ndërruar jetë, në moshën 67 vjeçe, ish-punonjësja e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (BKK), Florije Thaçi. Me rastin e vdekjes së saj, në BKK sot në orën 10.00 është organizuar një mbledhje përkujtimore për të.

Drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, tha se Flora ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar në punë në bibliotekë. “Lajmi për vdekjen e Florës na tronditi dhe na pikëlloi. S’e pritnim të ikte kaq shpejt. Flora ka qenë njeri i mirë, i dashur, punëtore e madhe. Me përkushtim të madh është përkujdesur për pasurimin e fondeve të bibliotekës. Gjithmonë do ta ruajmë të freskët kujtimin për të”, tha Gajraku.

Vajza e Florije Thaçit, Kaltrina, i falënderoi punonjësit e Bibliotekës Kombëtare për organizimin e akademisë përkujtimore dhe shprehu nderim për punën e tyre. “Mami e ka dashur shumë bibliotekën. Ju ka dashur shumë të gjithëve. Më ka folur shumë mirë për ju dhe për punën që bëni këtu. Ndonjëherë, kur i kam bërë ndonjë kërkesë për të marr ndonjë libër këtu për lexim dhe hulumtim, më thoshte shih gjeje diku tjetër, se po më vjen keq prej kolegëve t’u kërkoj shërbim për familjarë. Fryma e saj ende është brenda këtij objekti. Mamit, disa muaj para se të pensionohej, i thosha pse po ngutesh për punë. Nuk prish punë që vonohesh pak, se pas dy muajsh do të dalësh në pension. Më thoshte nuk dua të vonohem asnjë minutë derisa të pensionohem. E ka dashur dhe respektuar punën dhe institucionin tuaj dhe orarin e punës. Mamin do ta mbaj kujtim tërë jetën. Besoj se do të jetojë edhe më tutje në këtë ndërtesë. Shpresoj se po na sheh nga lart dhe sigurisht është shumë e lumtur për përkujtimin, nderin dhe respektin që po ia bëni. Ju faleminderit prej familjes Thaçi dhe Bajçinovci!”, tha Kaltrina.

Florije Thaçi ka qenë një prej punëtoreve të para të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ajo ka punuar në Departamentin e Pasurimit dhe është vlerësuar me mirënjohjen “Punëtore e dalluar”. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Babai i Britney Spears, Jamie ka bërë së fundmi një…