“Nepotizmi dhe pagat e vogla”, arsyet pse u larguan 127 ushtarë nga FSK-ja

20 dhjetor 2022 | 08:13

Largimin e 127 ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, nuk e ka parë si “shifër alarmante” të hënën kur raportoi para anëtarëve të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, duke thënë se “i njëjti trend ndodh edhe në vendet e rajonit”. “Në çdo ushtri të botës futen e dalin njerëzit”, shpjegoi Mehaj.

Por, për ish-ushtarakët Kosova nuk duhet të krahasohet me vendet e rajonit, pasi numri i ushtarëve është shumë më i vogël, teksa Kosova numëron rreth 4 mijë ushtarë aktivë e rreth 2 mijë e 500 rezervë.

Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehajës, largimi i 127 ushtarëve vetëm për një vit “nuk është pak”.

Ai përmend për Albanian Post disa shkaqe pse ushtarët po detyrohen ta lënë uniformën e FSK-së.

“E para është në pyetje detyra ushtarakut pasi është specifike. Janë detyra shumë komplekse, disa s’e kanë parë vetën aty dhe janë larguar. Çështja tjetër janë pagat, nuk janë në nivel të duhur”, tha Qehaja.

Megjithatë, këto nuk janë arsyet e vetme sipas teksa, teksa i liston edhe disa të tjera.

“Organizimi i brendshëm i FSK-së. Ky nepotizëm sidomos në FSK, nuk guxon të ndodh”.

“Dhe Mehaj është dashtë të tregojë se çka është duke ndërmarr që mos të ketë nepotizëm dhe padrejtësi, sepse edhe këto janë elementet kryesore që po largohen ushtarët”.

Ndërsa ish-ministri i Mbrojtës, Rrustem Berisha, nuk pajtohet me ministrin aktual se shifrat e largimit të ushtarëve kanë qenë të njëjta edhe vitet e kaluara.

“Në atë kohë kur kam qenë unë ministër ka qenë problematike vetëm çështja e largimit ushtarëve nga minoriteti serb,  pasi u bënte presion Serbia. Ushtarët shqiptarë nuk janë larguar”, thekson Berisha

“Por kjo që po ndodh do një analizë se ‘pse po ndodh?’. Duhet edhe me i tregu arsyet pse po largohen?”, potencon ish-ministri.

“Nuk është numri i njëjtë i ushtarëve me vendet e rajonit”.

Përkundër se analiza nuk është bërë, Berisha e ka një ide për largimet e shumta.

“Është problem me mbajt familjen me pagën e një ushtari”, thotë ai, duke vënë në theks pagat e vogla që për një ushtarë të thjesht neto del më pak se 400 euro.

Prandaj, ish ushtaraku dhe tani deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, kërkon ngritje të kujdesit për ushtarët e FSK-së.

“Në momentin kur ushtari nënshkruan kontratë me FSK-në, atij duhet t’i ndërpritet brenga ekonomike qysh si student. Nuk ka tjetër arsye pse ikin shqiptarët nga ushtria”, potencon Berisha

Po ashtu vuri në pah se duhet ngritje e kujdesit shtetëror ndaj ushtarakëve profesionistë sipas standardeve të NATO-s .

“Nëse një oficer në cilëndo armate të NATO-s ka dinjitet të jetojë i pavarur ekonomikisht me familjen e tij, ka mundësi mjekimi pa shpenzime familjare, thjeshtë një oficer i FSK-së nuk guxon të marr kredi për t’i plotësuar nevojat ekonomike e aq me pak guxon me qenë rast social, me u var nga ndihma e familjarëve të tij”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Haxhi Zekë Byberi, i njohur në histori Haxhi Zeka, ka…