Botuesit e Kosovës kërkojnë më shumë përkrahje, çmimi i letrës është shtrenjtuar 80 %

21 dhjetor 2022 | 09:35

Edicioni i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, i hapur të premten (më 16 dhjetor) dhe i mbështetur nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës, është mbyllur të dielën (më 18 dhjetor) me një takim mes botuesve të Kosovës në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Pesë prej botuesve të Kosovës, Berat Armagedoni nga shtëpia botuese “Armagedoni”, Hajdar Fejzullahu nga shtëpia botuese “Lena Graphic”, Alfred Beka nga shtëpia botuese ”Jakup Ceraja”, Vjosa Mehmeti nga shtëpia botuese “Rozafa”, Sadik Zeqiri nga gazeta “Epoka e re”, përmenden sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë punës së tyre botuese.

I pari në këtë tryezë diskutimi foli Hajdar Fejzullahi, botues, i cili përshëndeti organizimin e Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, i cili tashmë është bërë tradicional. “Po më vjen mirë që, krahas panairit të librit të ri, po organizohet edhe panairi i librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur. Kjo nismë është mjaft e qëlluar. Nëse flasim për sfidat e botuesve, natyra e botimeve në krahasim me atë të para 30 vjetëve ka ndryshuar shumë, sepse është shndërruar shtypi industrial në shtyp digjital. Edhe pse është premtuar se do të hiqet, TVSh-ja për libër nuk është hequr ende. Në dy vitet e fundit çmimi i letrës është shtrenjtuar për 80 për qind dhe shtypi i një libri tash kushton shumë më shumë”, tha Fejzullahu.

Botuesi Berat Armagedoni tha se një prej sfidave të botuesve është përkrahja e vogël që marrin nga Ministria e Kulturës e Kosovës dhe nga institucionet komunale për botimin e një libri. “Ministria e Kulturës e Kosovës, edhe institucionet komunale, e përkrahin librin pak. Nuk mjaftojnë 700-800 euro për botimin e një libri për 500 ekzemplarë edhe nëse ai libër i ka vetëm 100 faqe. Me këtë mbështetje mund të hiqen vetëm shpenzimet e shtypit, jo edhe të tjerat si, ta zëmë, redaktura, lektura, faqosja, dizajni etj.”, bëri me dije Armagedoni dhe shtoi se, “një ndër sfidat e tjera është sigurimi i të drejtës së autorit, e cila, përpos që vonohet, është edhe e kushtueshme dhe atë nuk e mbështet materialisht Ministria e Kulturës”.

Botuesit përmenden edhe mungesën e klubeve letrare nëpër qytete të Kosovës të cilat dikur ekzistonin.

Më pas fjalën e mori Vjosa Mehmeti nga shtëpia botuese “Rozafa”, e cila foli për bashkëpunimin rajonal, sidomos mes botuesve shqiptarë. “Panairet janë një nga format që kontribuojnë në bashkëpunim më të frytshëm ndërmjet botuesve shqiptarë pa marrë parasysh se ku veprojnë”, tha Mehmeti.

E sipas Alfred Bekës, një sfidë tjetër është edhe numri i vogël i lexuesve. “Para disa javësh publikova në Facebook pesë libra me poezi të autorëve kosovarë. Atë artikull e sponsorova për një javë. Përgjatë një jave nuk është lajmëruar asnjë lexues. E ajo që më bëri përshtypje është që u paraqitën rreth 7-8 persona që kërkonin t’u botohej libri”, tha Beka dhe shtoi se “më shumë mund të ketë autorë sesa lexues”.

Sadik Zeqiri, drejtor i gazetës “Epoka e re”, tha se, përpos botuesve të librave, me vështirësi po përballen edhe botuesit e gazetave. “Sapo nisi pandemia Covid-19 në Kosovë dhe qeveria mori masa për parandalimin e saj, mori edhe një vendim për ndërprerjen e shtypit të gazetave. Që nga ai vendim më asnjë gazetë fizike nuk shtypet në Kosovë. S’kemi as ku ta shtypim, sepse shtypshkronjat e kanë ndërprerë shtypin e tyre. Pa një përkrahje institucionale për shtypin e tyre, është e pamundur të mbulohen shpenzimet vetëm nga botuesit”, tha Zeqiri.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, foli për rëndësinë e librit të vjetër. “Libri i vjetër ka rëndësi shumë të madhe. Duke i parë librat e vjetër shohim përkujdesjen e botuesve ndaj tyre. Shohim cilësinë e përgatitjes përmbajtjesore dhe fizike. Cilësitë përmbajtjesore dhe fizike të librave të botuara në vitet ’80 nuk i shohim në librat e rinj. Ka pasur përgjegjësi shumë më të madhe atëkohë për botimin e një libri”, tha Zyberaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barrikada, tensione, sulme terroriste dhe mosbindje ndaj autoriteteve sovrane të…