Kush duhet t’i heqë barrikadat?

21 dhjetor 2022 | 10:19

Barrikadat në rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë për të dytën javë me radhë dhe nuk ka asnjë qartësi se si dhe kur do të mund të hiqen ato.

Për njohësit e rrethanave të sigurisë dhe atyre politike, çështja cenon rendin dhe qetësinë publike, por, megjithatë, kërkon zgjidhje politike.

Disa qytetarë serbë, të anketuar në veri të Kosovës, thonë se barrikadat duhet të hiqen nga vetë ata që i kanë ngritur, por pasi të arrihet një marrëveshje politike për një gjë të tillë.

Grupe të serbëve lokalë i ngritën barrikadat qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, raporton Rel.

Që nga ajo kohë, rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se bllokimi i rrugëve me barrikada është çështje e prishjes së rendit dhe sundimit të ligjit dhe se institucion përgjegjës për largimin e tyre është Policia e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar “bandat kriminale”, të mbështetura nga Serbia, për ngritjen e barrikadave.

Barrikadat mbështeten edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – si dhe nga vetë autoritetet në Serbi.

Vrajolli thotë se, marrë parasysh që në vendosjen e barrikadave janë të përfshira edhe elemente nga shteti i Serbisë, atëherë ato paraqesin “cenim të integritetit territorial të Kosovës”.

Në këtë situatë, sipas tij, intervenimi i misionit të NATO-s, KFOR, për heqjen e barrikadave është i domosdoshëm. Por, thotë Vrajolli, është e dukshme që autoritetet po i japin kohë një zgjidhjeje politike.

“Gjithsesi, këto barrikada nuk do të rrinë gjatë në rrugë. Mendoj se Policia e Kosovës bën veprim të duhur që jep mundësi që këto barrikada të hiqen në mënyrë paqësore. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm policia, por të gjitha organet përgjegjëse të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës duhet të koordinohen së bashku dhe këto barrikada të hiqen”, thotë Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se, në rrethana normale, barrikadat do të duhej të hiqeshin nga Policia e Kosovës.

Por, sipas tij, rrethanat nuk janë të zakonshme, për shkak të raporteve të këqija ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve në veri të vendit.

Në këtë pikë, thotë Milliqeviq, duhet gjetur një zgjidhje politike, sepse përdorimi i dhunës për heqjen e barrikadave, shton ai, do ta përshkallëzonte situatën.

“Situata ekzistuese në veri të Kosovës është jashtëzakonisht e ngarkuar me emocione dhe tensione të fuqishme. Kam frikë se çfarëdo heqjeje me dhunë e barrikadave do të shkaktonte pasoja shumë më të mëdha, sesa në rast të një zgjidhjeje paqësore”, thotë Milliqeviq.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut thonë se duhet të arrihet një kompromis me autoritetet e Kosovës, në mënyrë që barrikadat të largohen, por nuk specifikojnë shumë se çfarë kompromisi mendojnë.

Por, kush duhet t’i largojë ato?

“Ata që i kanë vendosur. Atëherë do të ishin të kënaqura të dyja palët. Pra, kur të pajtohen për një marrëveshje. Por, më duket se situata është e pasigurt dhe e keqe”, thotë Millani, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut.

Mendim të ngjashëm ka edhe Miodragu. Por, sipas tij, autoritetet e Kosovës duhet t’i përmbushin paraprakisht disa kërkesa të qytetarëve serbë.

“Populli do t’i heqë barrikadat kur të plotësohen kushtet. Policët që janë arrestuar, të mbrohen në liri”, thotë Miodragu.

Një qytetar tjetër, me emrin Sllobodan, thotë se barrikadat nuk duhet të hiqen përpara se të rregullohet situata, sipas tij.

“Duhet të përmbushen kushtet, [duhet të formohet] Asociacioni i komunave me shumicë serbe, policia të tërhiqet nga këtu derisa të kthehen serbët në institucione”, thotë Sllobodani.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se institucionet e vendit “kanë kapacitete për t’i larguar barrikadat” dhe se “janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të përditshmes britanike, Guardian, se është pajtuar që t’i japë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për t’i bindur ata që janë në barrikada, të tërhiqen.

Megjithatë, Kurti ka thënë se barrikadat nuk mund të lejohen të qëndrojnë gjatë.

Ai ka shprehur shqetësimin se “heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë viktimat”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Repartin e Radioterapisë të Klinikës së Onkologjisë, po bëhen…