KOMF-i ndan çmimet vjetore për gazetarë dhe mirënjohje për kontribuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve gjatë vitit 2022

21 dhjetor 2022 | 13:54

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen  e Fëmijëve  në Kosovë  – KOMF, ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetarë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe Mirënjohjeve vjetore “Mik i fëmijëve” për kontribuesit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.

KOMF këtë vit ndau tre çmime vjetore në fushën e gazetarisë në mbrojtje të fëmijëve dhe pesë mirënjohje vjetore me titull “Mik i Fëmijëve”, për individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt shërbimeve sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve. Paneli Vlerësues për shkrimet gazetareske, i përbërë nga Evliana Berani – gazetare, Luljetë Prekazi – psikologe dhe Imer Mushkolaj– gazetar, ka përzgjedhur tre gazetarë për tu vlerësuar me çmimin vjetor 2022 në fushën e gazetarisë, si më poshtë:

  • Dafina Halili, Kosovo 2.0, për hulumtimin “Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara” fiton Çmimin Vjetor 2022.
  • Donjeta Murselaj, Klan Kosova, për reportazhin i cili trajton rastin e Florentit, të cilit i mohohet e drejta e regjistrimit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë vetëm pse është në karrocë, fiton Çmimin Vjetor 2022.
  • Saranda Ramaj, Koha, për shkrimet me 17 vazhdime, që shpalojnë keqpërdorimet e shumta me mjetet e shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë, fiton Çmimin Vjetor 2022.

Ndërkohë që Paneli Vlerësues për nominimet Mik i Fëmijëve, i përbërë nga Blerta Perolli Shehu – Universiteti i Prishtinës, Anita Çavdarbasha – Zëvendëse e Avokatit të Popullit dhe Adelinë Sahiti – Drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, ka vlerësuar dhe ndarë pesë Mirënjohjet vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për pesë personalitete të cilët përgjatë 2022, kanë ofruar mbështetje e kontribut në mbrojtje e mirëqenie të fëmijëve të cenueshëm.

Mirënjohjet u ndanë si më poshtë:

  • Burim Pira merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, është një sipërmarrës i suksesshëm i cili drejton kompaninë Meka Halal Food në Dragash, për mbështetjen e vazhdueshme të iniciativës “Team Rijad”.
  • Familja strehuese Mejreme dhe Avdullah Kadriu nga Komuna e Vitisë, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për strehimin e 30 fëmijëve pa kujdes prindëror.
  • Luan Sallahi, afarist, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për kontributin e vazhdueshëm që ka ofruar për fëmijët me aftësi të kufizuara të cilët marrin shërbime ditore pranë organizatës PEMA.
  • Shpresa Xhakli, filantrope, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për avokimin, kontributin dhe mbështetjen e shërbimeve për fëmijët me autizëm, që marrin shërbime në organizatën “Autizmi”.
  • Atije Idrizaj, pronare dhe drejtuese e Kolegjit Rezonanca, merr mirënjohjen vjetore “Mik i Fëmijëve 2022”, për mbështetjen afatgjatë për tre vajza pa përkujdes prindëror të cilat marrin shërbime në SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

KOMF falënderon të gjithë fituesit, gazetarët dhe Miqtë e Fëmijëve, individët, korporatat, partnerët dhe bashkëpunëtorët, të cilët vazhdimisht dhe në mënyrë të pakursyer dëshmojnë vullnet dhe angazhim në mbështetje të komunitetit e mbi të gjitha të fëmijëve, drejt misionit të përbashkët fisnik të mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

Kjo ngjarje u mundësua përmes projektit “Aksioni i Përbashkët  për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Evropian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga KOMF, në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, si dhe programit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF ‘EJA Kosovë’, bashkë financuar  nga Agjencia  Zvicerane  për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria  e Dukatit  të Madh të Luksemburgut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miliarderja e re, Kylie Jenner, njihet prej disa kohësh si…